BALLKANI

Balluku: Partneriteti Shqipëri-Turqi është ndërtuar mbi vizionin për zhvillim dhe stabilitet në rajon

Në Tiranë po mbahet Forumi i Investimeve Shqipëri-Turqi, ku i pranishëm është edhe zëvendëspresidenti i Turqisë, Cevdet Yılmaz dhe zyrtarë të tjerë nga të dy vendet

Fatjon Cuka, Dzihat Aliju  | 17.10.2025 - Përdıtësım : 20.10.2025
Balluku: Partneriteti Shqipëri-Turqi është ndërtuar mbi vizionin për zhvillim dhe stabilitet në rajon Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku ka deklaruar se partneriteti mes Shqipërisë dhe Turqisë është ndërtuar mbi besimin e ndërsjellë dhe vizionin e përbashkët për zhvillim dhe stabilitet në rajon, raporton Anadolu.

Në Tiranë po mbahet Forumi i Investimeve Shqipëri-Turqi, ku i pranishëm është edhe zëvendëspresidenti i Turqisë, Cevdet Yılmaz dhe zyrtarë të tjerë nga të dy vendet.

Balluku tha se Shqipëria dhe Turqia janë të lidhura në një marrëdhënie të fuqishme strategjike dhe histori të pashembullt miqësie. "Gjithmonë me vëllezërit turq kemi ecur krah për krah dhe gjithmonë i kemi hapur njëri-tjetrit dyert e zemrave tona. Mbi të gjitha, nuk i kemi paragjykuar kurrë zakonet, traditat dhe besimin e njëri-tjetrit", tha ajo.

Balluku u shpreh se sot janë në këtë forum për të forcuar më tej urat e bashkëpunimit, për të eksploruar mundësi të reja investimi dhe për t'i dhënë një impuls të ri marrëdhënieve tona ekonomik, duke shtuar se Shqipëria ka një treg dinamik

"Ky samit ekonomik është jo vetëm një platformë për të diskutuar mbi investimet, por dhe një pasqyrë e gjallë e marrëdhënieve të ngushta dhe të qëndrueshme që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Turqisë", tha Balluku.

Ajo iu bëri thirrje bizneseve turke që të investojnë më shumë në Shqipëri. "Investoni jo si një gjest solidariteti, pro si veprimi më i zgjuar për të rritur më tej biznesin. Shqipëria dhe Turqia janë një lajm i mirë për të gjithë rajonin dhe Evropën", tha Balluku.

Balluku u shpreh se dronët "Bayraktar" në Shqipëri nuk kanë vetëm përdorim ushtarak dhe shtoi se kanë përfituar nga kjo marrëveshje për t'i përdorur këto dronë turq në një sërë sektorësh të tjerë.


- Turqia, një nga parterët më të rëndësishëm tregtarë të Shqipërisë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, u shpreh në fjalën e saj në se marrëdhënia historike mes dy vendeve është ndërtuar mbi besimin dhe respektin reciprok dhe sipas saj vazhdon të zhvillohet në një bashkëpunim dhe partneritet që lidh njerëzit, idetë dhe biznesin.

"Turqia nuk është vetëm një aleat i ngushtë, por është një vend mik që është një nga parterët më të rëndësishëm tregtarë të Shqipërisë", tha ajo.

Ibrahimaj theksoi se Shqipëria në vitet e fundit është bërë gjithmonë e më tërheqëse për investitorët e huaj.

"Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 arriti në një nivel rekord të flukseve të investimeve të huaja direkte duke arritur 759 milionë euro. Ky është fluksi më i lartë i regjistruar ndonjëherë për një periudhë gjashtëmujore. Turqia qëndron në vendin e parë në këtë fluks", tha ajo.


- "Marrëdhëniet midis dy vendeve kanë një dimension historik"

Kryetari i Përgjithshëm i MÜSIAD, Burhan Özdemir tha se aktiviteti u organizua për të forcuar partneritetin strategjik midis dy vendeve dhe falënderoi pjesëmarrësit.

Özdemir tha se marrëdhëniet midis dy vendeve kanë një dimension historik dhe vuri në dukje se në Shqipëri ka gati 1.000 kompani turke.

Duke theksuar se Turqia është një ndër aktorët global nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdogan, Özdemir tha: "Turqia e sheh Ballkanin si një qendër strategjike dhe i kushton rëndësi kontributit të Shqipërisë në paqen rajonale".

Özdemir gjithashtu tha se "Ziraat Bank" së shpejti do të operojë në Shqipëri.

Forumit iu drejtua me një fjalë përshëndetëse edhe kryetari i MÜSİAD Albania, Muhammet İşler dhe drejtoresha ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Laura Plaku (Saro).

Forumi ka mbledhur së bashku zyrtarë të lartë, përfaqësues të biznesit nga të dy vendet, ndërkohë në kuadër të tij do të mbahen edhe panele dhe takime të ndryshme.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın