BALLKANI

Bajram Begaj zgjidhet President i ri i Shqipërisë

I propozuar nga partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, Begaj, është zgjedhur në raundin e katërt me 78 vota pro, katër kundër dhe një abstenim

Fatjon Cuka  | 04.06.2022 - Përdıtësım : 06.06.2022
Bajram Begaj zgjidhet President i ri i Shqipërisë Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Bajram Begaj, i cili mbante postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, është zgjedhur President i ri Shqipërisë për një mandat pesëvjeçar, transmeton Anadolu Agency (AA).

I propozuar nga partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, Begaj, është zgjedhur në raundin e katërt me 78 vota pro, katër kundër dhe një abstenim.

Në votim morën pjesë 83 deputetë, ndërkohë Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë, ndërsa deputetët e partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë, nuk morën pjesë në procesin e votimit.

Para seancës, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut pranë Kuvendit, konfirmoi se Presidenti Ilir Meta ka dekretuar lirimin e Begajt nga detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe nxjerrjen në lirim nga shërbimi aktiv në Forcat e Armatosura. Kujtojmë se Meta e ka firmosur dekretin në Stamboll, pasi ndodhet në Turqi në kuadër të një vizite.

Për zgjedhjen e presidentit të vendit, sipas Kushtetutës, Kuvendi i Shqipërisë zhvillon deri në pesë votime (raunde). Raundi i parë, i dytë dhe i tretë për zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë u ezauruan më 16, 23 dhe 30 maj pa kandidatë zyrtarë, pasi grupet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë nuk dorëzuan kandidatura.

Ndërkohë, presidenti i zgjedhur nga Kuvendi do ta marrë zyrtarisht detyrën më 24 korrik të këtij viti, kur edhe përfundon mandati i presidentit aktual Ilir Meta.

Kujtojmë se Meta është zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë më 28 prill 2017 në postin e presidentit të vendit për një mandat pesëvjeçar

Kush është Bajram Begaj

Bajram Begaj ka lindur më datë 20 mars 1967, në qytetin e Rrogozhinës. Ai ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë.

Begaj ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, ndërsa në korrik 2020 është zgjedhur në postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Presidenti i zgjedhur Begaj flet gjuhën angleze, ndërkohë ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın