
Tiranë
Gjeneralmajor Bajram Begaj, i cili aktualisht mban postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, është kandidati për President i Shqipërisë, i propozuar nga partia në pushtet, Partia Socialiste, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se partia që ai drejton do të mbështesë Bajram Begajn për të qenë Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë.
"Është shëmbëlltyra e atij normaliteti, e asaj qytetarie, e atij sensi të shërbimit ndaj vendit dhe ndaj njerëzve të këtij vendi", tha Rama, duke iu referuar kandidatit për presidenti.
Begaj është zgjedhur në postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë në korrik 2020.
Gjeneralmajor Bajram Begaj ka lindur më datë 20 mars 1967, në qytetin e Rrogozhinës. Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë, pranë Universitetit të Tiranës.
Raundi i katërt për zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë është caktuar për nesër, më 4 qershor. Raundi i parë, i dytë dhe i tretë për zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë u ezauruan më 16, 23 dhe 30 maj pa kandidatë zyrtarë, pasi grupet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë nuk dorëzuan kandidatura.
Procesi në Kuvendin e Shqipërisë për zgjedhjen e presidentit të vendit
Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, kandidati për president i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh.
Për zgjedhjen e presidentit të vendit, Kuvendi i Shqipërisë zhvillon deri në pesë votime (raunde). Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave (84 vota) të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë.
Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet president kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave.
Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet dhe zhvillohen zgjedhjet e reja të përgjithshme.
Presidenti aktual Ilir Meta është zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë më 28 prill 2017 në postin e presidentit të vendit për një mandat pesëvjeçar, ndërkohë mandati i tij përfundon në korrik të vitit 2022.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.