BALLKANI

Bajram Begaj merr zyrtarisht detyrën e Presidentit të Shqipërisë

"U betova sot se do t’i shërbej Kushtetutës, interesit kombëtar dhe përparimit të popullit shqiptar dhe të përmbush detyrën time sipas parimeve dhe normave të Kushtetutës", tha Begaj pas betimit në Kuvendin e Shqipërisë

Fatjon Cuka  | 24.07.2022 - Përdıtësım : 25.07.2022
Bajram Begaj merr zyrtarisht detyrën e Presidentit të Shqipërisë Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Presidenti i ri i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka marrë sot zyrtarisht detyrën, pas betimit në Kuvendin e Shqipërisë dhe pas ceremonisë në Presidencë, raporton Anadolu Agency(AA).

Pas betimit mbi Kushtetutën e Shqipërisë, Begaj mbajti një fjalë përshëndetëse në Kuvend, ku theksoi se përgjegjësia që ai merr vjen në një moment historik për Shqipërinë, që sipas tij, "ka hyrë në një rrugë të pakthyeshme evropiane".

"U betova sot se do t’i shërbej Kushtetutës, interesit kombëtar dhe përparimit të popullit shqiptar dhe të përmbush detyrën time sipas parimeve dhe normave të kushtetutës. Këtë mision do ta kryej mbi palët, por unë nuk do të qëndroj neutral ndaj asnjërit që bie ndesh me këtë betim, ndaj asnjërit që vendos interesat personale përpara interesave të kombit tonë”, tha Begaj.

Ai shtoi se do të mbështesë bashkëpunimin mes të gjitha forcave politike, në gjetjen e gjuhës së përbashkët.

Begaj shtoi se angazhimi i të gjithëve është “të kemi ndjenjën e përgjegjësisë dhe të respektojmë vendimet e organeve kompetente”.

Pas betimit, Begaj u drejtua selisë së Presidencës së Shqipërisë, ku iu dorëzua detyra nga ish-presidenti Ilir Meta.

Pasi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Vitore Tusha, i dorëzoi Presidentit Begaj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, presidenti i ri i vendit mbajti një fjalë përshëndetëse, ku theksoi se do të jetë përfaqësues i unitetit kombëtar.

“Sot u betova për besnikëri ndaj Kushtetutës e ligjeve të vendit, për të respektuar të drejtat dhe liritë e shtetasve, për të mbrojtur pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe për t’i shërbyer interesit të përgjithshëm dhe përparimit të popullit shqiptar”, tha Begaj.

Presidenti Begaj shtoi më tej se “Do të jem shërbëtor i popullit tim, përfaqësues i unitetit tonë kombëtar, mbështetës i palëkundur i rrugëtimit euroatlantik për të gjithë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Luginës së Preshevës dhe kudo që ata jetojnë e punojnë”.

- Profili i presidentit të ri

Bajram Begaj, i cili mbante postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, u zgjodh më 4 qershor të këtij viti, President i ri Shqipërisë për një mandat pesëvjeçar.

Begaj ka lindur më datë 20 mars 1967, në qytetin e Rrogozhinës. Ai ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë.

Ai ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, ndërsa në korrik 2020 është zgjedhur në postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Presidenti i zgjedhur Begaj flet gjuhën angleze, ndërkohë ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın