Autoritetet serbe i caktojnë 30 ditë paraburgim ish-pjesëtarit të UÇK-së, Avni Qenaj
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thekson sërish se ky veprim përbën vazhdimësi të praktikave të Serbisë për ndjekje politike ndaj qytetarëve të Kosovës, përmes akuzave të pabazuara dhe të motivuara politikisht”, thuhet nga MPJD
Prishtinë
Autoritetet gjyqësore serbe i kanë caktuar 30 ditë paraburgim në Beograd shtetasit të Republikës së Kosovës, Avni Qenaj, të arrestuar ditë më parë në territorin serb, transmeton Anadolu.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD), ka bërë të ditur se autoritetet gjyqësore serbe kanë iniciuar procedurë penale ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) me pretendime për krime lufte në vitin 1999.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thekson sërish se ky veprim përbën vazhdimësi të praktikave të Serbisë për ndjekje politike ndaj qytetarëve të Kosovës, përmes akuzave të pabazuara dhe të motivuara politikisht”, thuhet në reagimin e MPJD-së.
MPJD njofton se ajo përmes Zyrës Ndërlidhëse në Serbi do të vazhdojë monitorimin e afërt të këtij rasti dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme diplomatike për të mbrojtur të drejtat e shtetasit kosovar dhe për të kundërshtuar “këto akuza të pambështetura dhe me motiv politik”.
MPJD ka bërë të ditur se në kuadër të këtij angazhimi, përfaqësuesi kosovar në Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, dje ka vizituar Qenajn në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd, ku i ka ofruar mbështetjen e plotë institucionale të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe standardet e drejtësisë.
“Qenaj ka deklaruar se gjatë qëndrimit në arrest policor i është ushtruar presion psikologjik, por pa keqtrajtim fizik, dhe se as aktualisht nuk ka keqtrajtime nga autoritetet e paraburgimit. Ai ka bërë të ditur se ende nuk është vizituar nga familjarët, por pret vizitën e tyre në ditët në vijim”, njofton MPJD.
Tutje bëhet e ditur se familjarët e Qenajt kanë angazhuar katër avokatë mbrojtës për përfaqësimin e tij ligjor.
Avni Qenaj u arrestua më 26 nëntor 2025 në pikëkalimin kufitar Merdarë, gjatë transitit drejt Bosnjë dhe Hercegovinës, ku familja e tij ka një biznes familjar. Pas arrestimit, ai është mbajtur për 48 orë në Prokuplje dhe më pas është transferuar në Beograd.
Më 28 nëntor, ai ka dalë para gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë për Krime të Luftës të Beogradit, ku është njoftuar se Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit ka iniciuar procedurë penale kundër tij dhe i është shqiptuar masa e paraburgimit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
