Kulturë, BALLKANI

Artistët turq sjellin në Tiranë krijimet e tyre me ekspozitën e artit bashkëkohor

Ekspozita bashkon projektet e 11 artistëve të rinj turq në kontekste të ndryshme dhe data të ndryshme, me perspektivën kuratoriale të kuratorit Tansel Türkdoğan. Ekspozita përbëhet nga instalime në mur dhe dysheme, si dhe video

Fatjon Cuka  | 30.06.2022 - Përdıtësım : 01.07.2022
Artistët turq sjellin në Tiranë krijimet e tyre me ekspozitën e artit bashkëkohor Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Në kuadër të Javës së Kulturës Turke, në Shqipëri është hapur ekspozita e artit bashkëkohor "Kontakti i ngushtë" (Close Contact), me projektet e disa artistëve të rinj turq, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitetin e hapjes së ekspozitës në Galerinë FAB, në ambientet e Fakultetit të Arteve të Bukura pranë Universitetit të Arteve në Tiranë, ishin të pranishëm ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Keti Luarasi, ndihmës drejtor i përgjithshëm i arteve figurative-Ministria turke e Kulturës dhe Turizmit, Alper Özkan, koordinatorja e TIKA-s në Tiranë, Emine Gizem Başkan, diplomatë, artistë, studentë dhe artdashës.

Ambasadori Atay gjatë fjalës së tij përshëndetëse tha se shpreson që ngjarjet që do të zhvillohen në Shqipëri Javës së Kulturës Turke të jenë sa më të dobishme.

"Dua të shpreh kënaqësinë dhe mirënjohjen time që ndodhem këtu në mesin tuaj me rastin e hapjes së kësaj ekspozite. Tashmë në Shqipëri ka filluar që nga data 29 qershor Java e Kulturës Turke, që do të zgjasë deri më 7 korrik. Shpresoj që këto ngjarje, programe që do të zhvillohen në Shqipëri, të jenë sa më të dobishme, t'i shërbejnë edhe kulturës tonë të përbashkët", tha Atay.

Ambasadori turk ka falënderuar autoritetet që sipas tij u kanë qëndruar pranë në hartimin, planifikimin, si dhe në aplikimin e këtyre projekteve.

Atay theksoi se shqiptarët dhe turqit kanë qëndruar gjithmonë bashkë në shekuj dhe sipas tij mes dy vendeve ka marrëdhënie të shkëlqyera dhe të ngushta.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Luarasi, gjatë fjalës së saj falënderoi institucionet turke dhe shqiptare për organizimin e Javës së Kulturës Turke.

"Janë koncerte, janë duke u zhvilluar performanca të ndryshme, galeria është e mbushur me performanca bashkëkohore. Është një moment fantastik për të bashkuar njerëzit, për të bashkuar aktorët, sportistët, këngëtarë, artistë të zhanreve të ndryshëm, për të sjellë njerëzit me njëri-tjetrin dhe sigurisht për të bashkuar dhe popujt me njëri-tjetrin", tha Luarasi.

Kuratori i ekspozitës, Tansel Türkdoğan, theksoi se kjo ekspozitë ka në përbërje të saj një koleksion mjaft të gjerë dhe të pasur nga pikëpamja e artit.

Ekspozita (30 qershor-7 korrik) bashkon projektet e 11 artistëve të rinj turq në kontekste të ndryshme dhe data të ndryshme, duke sjellë sipas tyre kontaktin e ngushtë të njerëzve me mendime të ndryshme apo kontaktin e ngushtë të audiencave të ndryshme, me perspektivën kuratoriale të kuratorit Tansel Türkdoğan. Ekspozita përbëhet nga instalime në mur dhe dysheme, si dhe video.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın