BALLKANI

Arrestohet një person për thirrjet anti-shqiptare në ndeshjen Maqedoni e Veriut - Rumani

Në ndeshjen e basketbollit të 2 gushtit midis Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Mickoski, u dëgjuan brohoritje anti-shqiptare, gjë që shkaktoi debate dhe zemërim midis komunitetit shqiptar në vend

Abdulbesar Ademi  | 05.08.2025 - Përdıtësım : 05.08.2025
Arrestohet një person për thirrjet anti-shqiptare në ndeshjen Maqedoni e Veriut - Rumani

Shkup

Një 30-vjeçar kumanovar është arrestuar nga policia e vendit pas thirrjeve anti-shqiptare që u dëgjuan në ndeshjen e basketbollit të zhvilluar në Kumanovë midis Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, transmeton Anadolu.

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se personi në fjalë është arrestuar nën dyshimin se ka tentuar të fusë “një pankartë me përmbajtje fyese” në ndeshjen që u zhvillua më 2 gusht në Sallën Sportive të Kumanovës.

Incidenti ndodhi gjatë pushimit mes pjesës së parë dhe të dytë të ndeshjes, pas çka zyrtarët policorë të Sektorit për Punë të Brendshme në Kumanovë arrestuan personin dhe ndaj tij është iniciuar procedurë hetimore.

“Pas zbardhjes së plotë të rastit, ndaj tij do të përgatitet kallëzim përkatës”, njoftuan nga ministria.

Nga atje theksuan se disa persona të tjerë gjithashtu janë thirrur për intervistim lidhur me këtë dhe raste të ngjashme, ndërsa në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Publike në Kumanovë do të ndërmerren masa konkrete ligjore, përfshirë edhe ndjekje penale, ndaj të gjithë të përfshirëve.

Ministria njëkohësisht bëri thirrje për respektim të frymës sportive gjatë ndeshjeve, duke paralajmëruar se çdo shkelje e rendit publik, sidomos fyerjet me bazë etnike, fetare apo personale, do të ndëshkohen rreptësisht dhe pa asnjë tolerancë.

“Vetëm përkrahja sportive e ndershme dhe me respekt mund të na sjellë suksese dhe gëzime të vërteta në sport”, apeloi ministria.

Në ndeshjen e basketbollit të 2 gushtit midis Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Hristijan Mickoski, u dëgjuan brohoritje anti-shqiptare, gjë që shkaktoi debate dhe zemërim midis komunitetit shqiptar në vend.

Politikanët nga qeveria dhe opozita i dënuan thirrjet në ndeshjen e basketbollit dhe bënë thirrje për hetim.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.