Arrestohet një i mitur në Mal të Zi për grafitin "Gjeneral, faleminderit për Srebrenicën" në ambasadën e BeH-së
I mituri, i cili u arrestua pasi në ambasadën e BeH-së shkroi mesazhe "Gjeneral, të faleminderit për Srebrenicën" dhe "Kafe të ëmbël Mladiq Ratko", para disa ditësh vizatoi edhe simbole naziste për festën hebraike Hanukkah në sheshin "Argjentina"
Shkup
Autoritetet e Malit të Zi kanë arrestuar një të mitur 16-vjeçar, i cili para disa ditësh në ndërtesën e Ambasadës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH) në Podgoricë shkroi grafite që lavdëronin kriminelin e luftës, Ratko Mlladiq, i cili u shpall fajtor për gjenocidin në Srebrenicë, transmeton Anadolu.
I mituri, i cili u arrestua pasi në gardhin e ambasadës së BeH-së në Podgoricë shkroi mesazhe "Gjeneral, të faleminderit për Srebrenicën" dhe "Kafe të ëmbël Mladiq Ratko", para disa ditësh kishte vizatuar edhe simbole naziste në një tabelë kushtuar festës hebraike Hanukkah në sheshin "Argjentina" në kryeqytetin malazez.
Siç raportojnë mediat lokale, Prokuroria e Lartë e Shtetit ka ngritur kallëzim penal kundër 16-vjeçarit nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, fetare dhe racore.
Sa i përket simboleve të vizatuara në tabelën e vendosur në sheshin "Argjentina" me rastin e festës hebraike Hanukkah, mediat lokale raportojnë se prokurori kompetent i Prokurorisë së Lartë ka deklaruar se në këtë rast nuk ka elementë të veprës penale.
Policia ka arrestuar të miturin, duke vlerësuar se veprimet e tij përbëjnë shkelje të Ligjit për rendin dhe qetësinë publike. Ai sot do të paraqitet në Gjykatën për Kundërvajtje në Podgoricë, me kërkesë për nisjen e procedurës administrative.
"Shërbimet e Policisë në periudhën e ardhshme do të vazhdojnë me masa dhe veprime intensive për identifikimin dhe ndjekjen penale të kryesve të veprave penale dhe shkeljeve që nxisin urrejtje kombëtare, fetare dhe racore, përçmim dhe diskriminim", tha policia duke theksuar synimin për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut si dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve.
