BALLKANI

Arrestohet i dyshuari për kidnapimin e shtetasit kosovar Milan Vukashinoviq

Ministri Sveçla tha se për të dyshuarin e arrestuar me inicialet V.M., ekzistojnë dyshime të bazuara se ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur në vazhdimësi strukturat e sigurisë së Serbisë.

Agim Sulaj  | 20.12.2025 - Përdıtësım : 22.12.2025
Arrestohet i dyshuari për kidnapimin e shtetasit kosovar Milan Vukashinoviq

Prishtinë

Policia e Kosovës ka arrestuar në Leshkan një ish-pjesëtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) dhe më pas i integruar në Policinë e Kosovës nën dyshimin për kidnapimin e shtetasit kosovar Milan Vukashinoviq më 1 nëntor brenda territorit të Kosovës, transmeton Anadolu.

Aksioni policor i zhvilluar në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, sipas ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është zhvilluar në kuadër të hetimeve intensive që po kryhen lidhur me kidnapimin e shtetasit të Kosovës, Milan Vukashinoviq, në brendësi të territorit të Kosovës më 1 nëntor 2025 nga strukturat e sigurisë së Serbisë.

Ministri Sveçla tha se për të dyshuarin e arrestuar me inicialet V.M., ekzistojnë dyshime të bazuara se ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur në vazhdimësi strukturat e sigurisë së Serbisë.

“V.M. dyshohet se ka qenë në kontakt me strukturat e inteligjencës së Serbisë dhe ato të ushtrisë, ka përgatitur të rinj serbë për trajnime në bashkëpunim me pjesëtarë të ushtrisë së Serbisë”, tha Sveçla duke nënvizuar se i dyshuari së paku ka qenë në dijeni për përgatitjet për sulmin që ndodhi në Banjskë në vitin 2023.

Ministri kosovar tha se në Kosovë askush nuk do të mund t’i ikë drejtësisë dhe se institucionet e Kosovës kanë kapacitetet për të adresuar secilin kërcënim dhe për të zbardhur çdo krim.

“Herët a vonë, para drejtësisë do të dalin edhe personat përgjegjës për këtë rast dhe rastet e tjera, të cilët janë pjesë e institucioneve të sigurisë së Serbisë, përkatësisht strehohen atje dhe shfrytëzohen nga pushteti për qëllime politike dhe të sigurisë”, përfundoi Sveçla.

Shtetasi serb i Kosovës Milan Vukashinoviq u plagos dhe më pas u kidnapua me 1 nëntor 2025 në territorin e Kosovës, afër fshatit Jelakce të Leposaviqit, në një zonë pranë kufirit me Serbinë. Ngjarja ndodhi atë ditë kur ai u qëllua dhe disa persona të maskuar dyshohet se e morën dhe e çuan përtej kufirit drejt territorit të Serbisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın