Armand Duka rizgjidhet president i Federatës Shqiptare të Futbollit
Në një njoftim nga Federata Shqiptare e Futbollit thuhet se vendimi u mor me votë unanime nga të gjithë anëtarët me të drejtë vote të Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore të FSHF-së
Tiranë
Armand Duka është rizgjedhur në postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore të FSHF-së të mbajtur sot, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga FSHF-ja thuhet se vendimi u mor me votë unanime nga të gjithë anëtarët me të drejtë vote, sipas njoftimit si "një shprehje e qartë e mbështetjes dhe unitetit brenda komunitetit të futbollit shqiptar."
"Procesi u zhvillua në ambientet e 'Shtëpisë së Futbollit' ku delegatët vlerësuan lidershipin, vizionin dhe kontributin e Presidentit Duka në zhvillimin e futbollit në vend, si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë organizativ dhe institucional. Ky mandat i ri jo vetëm konfirmon lidershipin e presidentit Duka, por edhe angazhimin e FSHF-së për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm, promovim të talenteve të rinj dhe rritje të standardeve të futbollit shqiptar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar", thuhet në njoftim.
Gjatë asamblesë janë zgjidhur edhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së për katër vitet e ardhshme.
Armand Duka, i cili u rizgjodh për herë të shtatë për një mandat katërvjeçar, e mban postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit që nga viti 2002.
