Ankesat e subjekteve politike shtyjnë certifikimin e rezultatit zgjedhor në Kosovë
Katër parti politike nga komuniteti joshumicë si dhe kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, kanë paraqitur ankesa lidhur me publikimin e rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qendror Zgjedhor
Prishtinë
Ankesat e katër partive politike politike si dhe një kandidati për deputet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), janë bërë shkas që certifikimi i rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 në Kosovë të shtyhet edhe për disa ditë, raporton Anadolu.
Katër parti politike nga komuniteti joshumicë si dhe kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, kanë paraqitur ankesa lidhur me publikimin e rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ).
PZAP-i ka bërë të ditur se ka pranuar gjithsej shtatë ankesa nga këto subjekte politike për të cilat do të jepet një vendim brenda afatit ligjor prej katër ditësh nga data e parashtrimit të secilës ankesë.
Lista Serbe, Nova Demokratska Stranka–NDS me dy ankesa, Koalicioni PAI–PDAK–LPB dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK, janë partitë që u ankuan lidhur me publikimin e rezultatit përfundimtar nga KQZ-ja.
Ndërkaq, dy ankesa i ka parashtruar kandidati për deputet i PDK-së, Bekim Haxhiu, sipas të cilit, PZAP-i duhet të refuzojë përfshirjen e mbi 23 mijë pakove me fletëvotime me postë nga votimi jashtë Kosovës, të pranuara pas afatit ligjor, të cilat, sipas tij, janë në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
KQZ-ja mori vendim për rinumërimin e të gjitha votave për shkak të gjetjes së disa parregullsive në votat e kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, KQZ-ja do të presë afatet ankimore dhe pastaj do të bëjë certifikimin e rezultateve përfundimtare, gjë e cila do t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja në vend.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
