BALLKANI

Ambasadori turk në Shkup: Turqia është një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Maqedonisë së Veriut

Ambasadori Fatih Ulusoy u takua në një darkë në Shkup me përfaqësues të botës së biznesit që kontribuojnë në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe tregtare mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut

Dzihat Aliju  | 26.12.2025 - Përdıtësım : 26.12.2025
Ambasadori turk në Shkup: Turqia është një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Maqedonisë së Veriut Foto: Arkiv / AA

Shkup

Ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy tha se Turqia është një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu.

Ambasadori Ulusoy u takua në një darkë në Shkup me përfaqësues të botës së biznesit që kontribuojnë në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe tregtare mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në aktivitetin e organizuar nga Ulusoy mori pjesë edhe ministri i Ekonomisë dhe Punës i Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi.

"Turqia është një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Maqedonisë së Veriut. Vëllimi ynë tregtar dypalësh i është afruar një miliard dollarëve dhe ekziston vullnet i përbashkët për ta rritur atë në dy miliardë dollarë", deklaroi Ulusoy dhe shtoi se përditësimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, e cila është e një date të hershme, është i rëndësishëm për arritjen e këtij synimi.

Më tej Ulusoy theksoi se investimet nga Turqia në Maqedoninë e Veriut kanë arritur nivelin e 2 miliardë dollarëve, duke shtuar se Turqia vazhdon pa ndërprerje lidhjet ekonomike dhe investimet me Maqedoninë e Veriut në të gjitha fushat, përfshirë sektorin e bankës, sigurimet, arsimin, shëndetësinë, ndërtimin, energjinë e rinovueshme, bujqësinë dhe blegtorinë, ushqimin, tekstilin dhe konfeksionin, tregtinë me pakicë, turizmin, kontraktimin, transportin, industrinë e mbrojtjes, prodhimin industrial dhe kulturën.

Ai vuri në dukje se kompanitë turke në Maqedoninë e Veriut sigurojnë punësim për 10 mijë persona dhe luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit.

"Veprimtaritë e biznesmenëve tanë jo vetëm që zhvillojnë marrëdhëniet ekonomike, por gjithashtu thellojnë lidhjet mes popujve të dy vendeve. Kërkesa jonë ndaj drejtuesve të kompanive që bëjnë biznes me Turqinë është që, me mendimin se kjo do ta lehtësojë edhe zhvillimin e punës në gjuhën turke, të punësojnë të rinj të diplomuar në degë si turkologjia dhe gjuha turke në universitetet e vendit. Një hap i tillë do të rrisë interesimin dhe numrin e studentëve në këto degë", tha Ulusoy.

Sipas tij, ekonomia turke në tremujorin e tretë të vitit 2025 është rritur me 3.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shtuar se edhe norma e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në nëntë muajt e parë të vitit ka qenë 3.7 për qind.

Ulusoy potencon se Turqia ka shënuar rritje të pandërprerë ekonomike për 21 tremujorë radhazi.

"Ekonomia jonë është e katërta më e shpejtë në rritje ndër vendet e OECD-së dhe e pesta ndër vendet e G20-s. PBB-ja vjetore në tremujorin e tretë të vitit 2025 arriti në 1.5 trilion dollarë, duke tejkaluar rekordin e thyer në vitin 2024. Raporti i deficitit të llogarisë korrente ndaj të ardhurave kombëtare, me 1.3 për qind është në nivel të qëndrueshëm dhe nën mesataren historike. Papunësia ka vazhduar për 30 muaj me radhë në nivel njëshifror. Eksportet e Turqisë drejt vendeve të G20-s në vitin 2024 arritën në 100 miliardë e 570 milionë dollarë ndërsa në tre tremujorët e parë të vitit 2025 arritën në 75 miliardë e 600 milionë dollarë", tha ai.

Sipas tij, "ekonomia turke ka konfirmuar forcën dhe qëndrueshmërinë e saj pavarësisht konjukturës globale dhe rajonale negative". Ulusoy shprehu dëshirën që ky aktivitet të forcojë më tej marrëdhëniet dypalëshe ekonomike dhe tregtare që tashmë po ecin pozitivisht dhe të krijojë bashkëpunime të reja.

Duke falënderuar përfaqësuesit e botës së biznesit për kontributet e tyre në marrëdhëniet tregtare mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, Ulusoy u shpreh: "I inkurajojmë që tregtia me vendin tonë të rritet çdo vit e më shumë, të marrin pjesë në panairet tregtare në vendin tonë dhe të kontribuojnë për t'i çuar edhe më lart shifrat e tregtisë".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın