BALLKANI

Ambasadori turk në ceremoninë për vitin e ri akademik në UNYT: Jemi gjithmonë pranë vëllezërve shqiptarë

Në ceremoninë e organizuar në ambientet e kampusit të Universitetit të New Yorkut në Tiranë, ishin të pranishëm drejtues të institucioneve turke, të institucioneve shqiptare, ambasadorë, drejtues të universitetit, pedagogë dhe studentë

Fatjon Cuka  | 24.10.2025 - Përdıtësım : 24.10.2025
Ambasadori turk në ceremoninë për vitin e ri akademik në UNYT: Jemi gjithmonë pranë vëllezërve shqiptarë Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Universiteti i New Yorkut në Tiranë (UNYT), pjesë e Fondacionit Turk Maarif, ka organizuar ceremoninë për fillimin e vitit të ri akademik 2025-2026, raporton Anadolu.

Në ceremoninë e organizuar në ambientet e kampusit të UNYT-së ishin të pranishëm drejtues të institucioneve turke, të institucioneve shqiptare, ambasadorë, drejtues të universitetit, pedagogë dhe studentë.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Tayyar Kagan Atay, gjatë fjalës në ceremoni tha se janë shumë të lumtur që janë pjesë e sistemit arsimor në Shqipëri dhe se UNYT po zë një vend të mirë në sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri. Ai shtoi se Turqia po jep një kontribut të rëndësishëm për të mbajtur studentët në Shqipëri.

Rreth procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, ambasadori Atay theksoi se ka një përparim fantastik.

"Njerëzit janë shumë të motivuar. Ne jemi shumë të lumtur si Turqi, që jemi pjesë e kësaj tabloje me institucionet tona, me udhëheqësit tanë politikë, me botën tonë ekonomike, me investitorët tanë këtu si dhe me sektorin e arsimit. Shkollat tona të Fondacionit Maarif janë hapur, sigurisht gjatë viteve me ndihmën e autoriteteve shqiptare, me lehtësimin e tyre", tha Atay.

Ambasadori Atay foli edhe mbi vizitën në Shqipëri javën e kaluar të zëvendëspresidentit të Turqisë, Cevdet Yilmaz dhe takimet e tij me zyrtarët shqiptarë, duke theksuar se janë gjithmonë pranë vëllezërve shqiptarë.

Ish-ministrja e Arsimit dhe Sporteve e Shqipërisë dhe deputetja Evis Kushi, në fjalën e saj në ceremoni tha se politika kombëtare e arsimit në Shqipëri po ndërton një sistem arsimor modern, digjital, gjithëpërfshirës dhe të lidhur globalisht.

Ajo theksoi se digjitalizimi në arsim, teknologjitë e përparuara dhe inteligjenca artificiale nuk janë më koncepte të largëta ose ide vizionare, por sipas saj realitete të përditshme që kërkojnë reforma të vazhdueshme dhe përgatitje intensive.

"Universitetet tona duhet të jenë të hapura, jo vetëm për studentët e huaj, por edhe për modelet më të mira të menaxhimit, mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Kjo është arsyeja pse vizioni ynë kombëtar është i qartë, ndërkombëtarizimi - ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë, jo si luks, por si domosdoshmëri. Universiteti i New Yorkut në Tiranë qëndron si shembulli i qartë i këtij vizioni. Përmes standardeve ndërkombëtare, partneriteteve globale dhe angazhimit ndaj përsosmërisë akademike, ky institucion vërteton se arsimi me cilësi të lartë mund të lulëzojë pikërisht këtu në Shqipëri", tha Kushi.

Rektori i UNYT-së, Ali Gunes tha se misioni i universitetit shkon përtej përgatitjes së studentëve për tregun e punës. "Si universitet i përgatisim studentët tanë për një karriera kuptimplotë. Ne i përgatisim ata për qytetari, mençuri dhe guxim moral", tha Gunes.

Në Shqipëri viti i ri akademik 2025-2026 në institucionet e arsimit të lartë filloi më 6 tetor.

- Rreth UNYT-së

Universiteti i New Yorkut në Tiranë (UNYT) është universiteti i parë privat në Shqipëri, themeluar në vitin 2002, me mësimdhënie tërësisht në gjuhën angleze. Që prej vitit 2018, universiteti është pjesë e Fondacionit Turk Maarif.

UNYT është i akredituar institucionalisht nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë e Shqipërisë (ASCAL) dhe gëzon një akreditim 6-vjeçar nga Ministria e Arsimit.

Universiteti ofron diploma të dyfishta (dual degree) në bashkëpunim me State University of New York, Empire State University (SUNU/ESU), një nga universitetet publike më të mëdha në SHBA.

Sipas të dhënave të universitetit, UNYT ka studentë ndërkombëtarë nga mbi 42 kombësi të ndryshme.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.