BALLKANI

Ambasadori Orav i dorëzon kryeministrit Kurti raportin e progresit për Kosovën

“Elita politike në Kosovë duhet të bëhet bashkë përtej ndarjeve politike dhe etnike dhe të formojnë një shumicë të qëndrueshme që do të sigurojë ratifikimin e Planit të Rritjes së BE-së dhe të përparojë obligimet tuaja nga dialogu Prishtinë-Beograd”

Agim Sulaj  | 04.11.2025 - Përdıtësım : 04.11.2025
Ambasadori Orav i dorëzon kryeministrit Kurti raportin e progresit për Kosovën Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Avio Orav, i ka dorëzuar kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, raportin e progresit për Kosovën të Komisionit Evropian, raporton Anadolu.

Pas dorëzimit formal të këtij raporti, Orav dhe Kurti mbajtën një konferencë për media në Qeverinë e Kosovës.

Ambasadori Orav kërkoi formimin e një qeverie të fortë të shumicës, e cila është e aftë për të avancuar bazat e lirisë për të mirën e gjithë qytetarëve të Kosovës. Ai tha se në këtë drejtim, viti 2025 ka qenë “vit i humbur”.

“Elita politike në Kosovë duhet të bëhet bashkë përtej ndarjeve politike dhe etnike dhe të formojnë një shumicë të qëndrueshme që do të sigurojë ratifikimin e Planit të Rritjes së BE-së në parlament dhe të përparojë obligimet tuaja nga dialogu Prishtinë-Beograd. Pa këto, do të ketë më shumë mundësi të humbura”, tha Orav.

Orav tha se raporti vë në pah përparimin e nivelit të gatishmërisë së Kosovës në gjashtë fusha, respektivisht në funksionimin e gjyqësorit, zhvillimin social, politikat e transportit, sigurinë e ushqimit, marrëdhëniet e jashtme dhe ndërtimin e kapaciteteve institucionale.

Duke folur për masat e BE-së ndaj Kosovës, ambasadori tha se janë ndërmarrë hapat e parë drejt heqjes së tyre, por theksoi se procesi mbetet i kushtëzuar me de-përshkallëzimin e situatës në veri dhe transferimin e pushtetit pas zgjedhjeve lokale.

Kurti, nga ana e tij, tha se raporti i Komisionit Evropian miraton se qeveria kosovare ka kryer këtë vit detyrat me sukses dhe theksoi se këtë vit nuk ka pasur kthim prapa në asnjë fushë. Ai tha se integrimi në BE mbetet prioritet strategjik i Kosovës.

“Raporti i sivjetmë është pozitiv pothuajse në të gjitha fushat dhe ofron rekomandime të qarta aty ku ka ngecje. Ai pasqyron punën e qeverisë dhe progresin tonë të përbashkët shoqëror. Në këtë vit, sikurse gjatë gjithë mandatit, nuk ka pasur kthim prapa në asnjë fushë. Ka progres në 35 fusha dhe ngecje në vetëm tre fusha”, tha Kurti.

Më tej, ai tha se raporti konfirmon përafrimin kosovar me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë së BE-së, si dhe u zotua se do të angazhohet që rekomandimet e raportit të kthehen në zbatim.

Kurti gjithashtu tha se ajo çka në opinionin publik në Kosovë reflektohej si prishje e raporteve të qeverisë me jashtë, ky raport tregon se është progres.

BE-ja i përpilon këto raporte për vendet që synojnë anëtarësimin në bllokun evropian. Kosova, për dallim prej vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, nuk e ka statusin e vendit kandidat, ndonëse ka aplikuar për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.