BALLKANI

Ambasadori i Kosovës Vrenezi voton në konkursin "Fotografitë e Vitit 2025" të Agjencisë Anadolu

“Prej dy vitesh marr pjesë në këtë votim fotografik. Si gjithmonë, fotografitë janë të jashtëzakonshme”, tha Agon Vrenezi gjatë votimit për fotofrafitë të Agjencisë Anadolu

Sümeyye Dilara Dinçer  | 03.02.2026 - Përdıtësım : 03.02.2026
Ambasadori i Kosovës Vrenezi voton në konkursin "Fotografitë e Vitit 2025" të Agjencisë Anadolu Foto: Arman Önal / AA

Ankara

Ambasadori i Kosovës në Ankara, Agon Vrenezi, ka marrë pjesë në votimin vjetor për “Fotografitë e Vitit” të Anadolus, konkurs në të cilin shfaqen fotografi që shënuan vitin 2025.

I sponsorizuar nga Lifebox, AJet dhe ROKETSAN, konkursi përfshiu 112 fotografi të realizuara nga fotoreporterët e Agjencisë Anadolu, të ndara në gjashtë kategori e që pasqyrojnë momente kyç në Turqi dhe në mbarë botën.

Duke komentuar përzgjedhjet, ambasadori tha se fotografitë ishin shumë domethënëse dhe përcillnin mesazhe të thella.

“Prej dy vitesh marr pjesë në këtë votim fotografik. Si gjithmonë, fotografitë janë të jashtëzakonshme”, tha ai.

Në kategorinë speciale “Gaza: Uria”, Vrenezi votoi për fotografinë e Mahmoud Issas, me titull “Kriza ushqimore thellohet në Rripin e Gazës”.

Duke folur për zgjedhjen e tij në këtë kategori, ai tha: “Zgjodha një fotografi që paraqet krizën humanitare në Gaza, një situatë për të cilën të gjithë janë të vetëdijshëm”.

Ai shtoi se Kosova ka tentuar të lehtësojë disi krizën duke ofruar ndihmë humanitare në bashkëpunim me Gjysmëhënën e Kuqe Turke, por kushtet për civilët atje mbeten jashtëzakonisht të vështira.

Ambasadori deklaroi se si tifoz i basketbollit, zgjodhi foton e lojtarit të kombëtares turke Alperen Sengun, e cila është paraqitur në kategorinë “Sport”, për shkak të performancës së tij të shkëlqyer.

Në kategorinë speciale “Portret”, ai zgjodhi fotografinë “Rastgeldi” nga Cem Ozdel. Në kategorinë “Lajm”, ai përzgjodhi fotografinë “Atdheu ynë Blu” nga Arif Hudaverdi Yaman.

Në kategorinë “Natyrë dhe Mjedis”, Vrenezi përzgjodhi fotografinë me titull “Herën e parë” nga Berkan Cetin.

Në kategorinë “Jeta e Përditshme”, ambasadori kosovar zgjodhi fotografinë “Perëndim dielli në Bririn e Artë” nga Hakan Akgun.


- Përzgjedhja

Anadolu e ka organizuar konkursin “Fotografitë e Vitit” që nga viti 2012.

Konkursi i sivjetshëm përfshin katër kategori kryesore – Lajm, Natyrë dhe Mjedis, Sport dhe Jeta e Përditshme – si dhe dy kategori speciale: Gaza: Uria dhe Portret.

Vitin e kaluar, 1.543.367 persona morën pjesë në votim.

Votimi është i hapur në mbarë botën me përshkrime në gjuhën turke dhe atë angleze, dhe pjesëmarrësit mund të votojnë për aq fotografi sa dëshirojnë. Votimi do të vazhdojë në yilinkareleri.aa.com.tr deri të dielën, më 15 shkurt.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.