Ambasadori i BE-së, Orav: Hapësira kosovare e informimit mbetet e prekshme nga manipulimi dhe ndërhyrjet e jashtme
Ambasadori i BE-së, Orav tha se në Kosovë dezinformimi në shqip bëhet më shumë përmes rrjeteve sociale, derisa në gjuhën serbe përmes mediave tradicionale
Prishtinë
Në Prishtinë po mbahet Samiti i Paqes dhe Demokracisë në Kosovë (KPDS) me temën "Çrregullim i ri botëror: dezinformim, mosbesim dhe çmontim i normave demokratike", raporton Anadolu.
Samiti i Paqes dhe Demokracisë shërben si një platformë e rëndësishme për të promovuar dialogun dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor.
Ekspertë të njohur do të diskutojnë gjatë këtij samiti dilemat kyçe të sigurisë në rajon, nga konfliktet e ngrira dhe presionet e jashtme, deri te pasiguria e brendshme, si dhe do të eksplorojnë strategji kreative për të forcuar rezistencën dhe bashkëpunimin.
Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Avio Orav tha se samiti është një mundësi për të vepruar së bashku në të mirë të paqes dhe demokracisë. Ai theksoi se sfidat e dezinformimit, mosbesimit dhe çmontimit të normave demokratike kapërcejnë kufijtë dhe Kosova nuk bën përjashtim.
Ambasadori i BE-së duke iu referuar disa burimeve tha se në Kosovë dezinformimi në shqip bëhet më shumë përmes rrjeteve sociale, derisa në gjuhën serbe përmes mediave tradicionale.
"Si rezultat, hapësira kosovare e informimit mbetet e prekshme nga manipulimi dhe ndërhyrjeve të jashtme. Hulumtimet nga partnerët tanë si BIRN dhe Demokraci Plus shfaqin se mendimi kritik dhe burimi i verifikimit nuk mësohen sistematikisht në shkolla ose nuk janë të integruara në edukimin publik, duke ekspozuar mjaft shumë qytetarët nga manipulimi dhe dezinformimi", tha Orav.
Drejtori ekzekutiv i "Sbunker", Bardhi Bakija tha se po jetojmë në një kohë ku të gjitha realitetet politike prodhohen përmes inxhinierisë narrative ku besimi jo vetëm që po bie gradualisht por është mbyllur tërësisht.
Sipas tij, normat demokratike të cilat janë marrë seriozisht dikur tani shihen si të negociuara. "Po jetojmë në një moment ku dezinformimi sidomos, është bërë një mjet për të qeverisur dhe jo vetëm taktikë për të propaganduar", tha Bakija.
