Ambasadori amerikan në Beograd: SHBA mbështet iniciativën "Ballkani i Hapur"
Christopher Hill tha se SHBA do të vazhdojë angazhimin e saj me partnerët nga BE për të vazhduar dialogun që do të sjellë rezultate konkrete

Beograd
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se SHBA mbështet iniciativën "Ballkani i Hapur" për një zonë të përbashkët ekonomike në Ballkanin Perëndimor, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ne gjithashtu mbështesim iniciativën Ballkani i Hapur dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë në zhvillimin e saj më të shpejtë", i tha Christopher Hill presidentit serb Aleksandar Vuçiç në Beograd, duke shtuar se SHBA gjithmonë mbështet përpjekjet për të thelluar bashkëpunimin ekonomik rajonal në një mënyrë që promovon integrimin në Bashkimin Evropian (BE).
Hill tha se SHBA do të vazhdojë angazhimin e saj me partnerët nga BE për të vazhduar dialogun që do të sjellë rezultate konkrete.
Vuçiç, nga ana e tij, theksoi përpjekjet e Serbisë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Serbia është nismëtare e projekteve të shumta që lidhin vendet e Ballkanit Perëndimor në mënyrën më të mirë dhe për këtë arsye njihet si një partner proaktiv për të gjithë ata që duan të punojnë sinqerisht dhe me përkushtim për përparimin e rajonit”, tha Vuçiç.
Iniciativa është një zonë ekonomike dhe politike e tre shteteve ballkanike: Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Ajo synon të ofrojë mundësi më të mëdha për bizneset dhe qytetarët, si dhe të inkurajojë integrimin e vendeve anëtare në BE.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.