BALLKANI

Ambasada e Turqisë në Tiranë organizon pritje për Ditën e Republikës Turke

Në ceremoninë e organizuar nën kujdesin e ambasadorit turk në Tiranë, Tayyar Kagan Atay, ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke, të institucioneve shqiptare, ambasadorë dhe personalitete nga fusha të ndryshme.

Fatjon Cuka  | 29.10.2025 - Përdıtësım : 29.10.2025
Ambasada e Turqisë në Tiranë organizon pritje për Ditën e Republikës Turke Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Ambasada e Turqisë në Tiranë ka organizuar një pritje zyrtare me rastin e 102-vjetorit të themelimit të Republikës së Turqisë, raporton Anadolu.

Në ceremoninë e organizuar nën kujdesin e ambasadorit turk në Tiranë, Tayyar Kagan Atay, ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke, të institucioneve shqiptare, ambasadorë dhe personalitete nga fusha të ndryshme.

Pas intonimit të himneve të të dy vendeve, ceremonia vazhdoi me mesazhin e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me rastin e 29 Tetorit, Ditës së Republikës Turke.

Në fjalën e tij në ceremoninë e pritjes, ambasadori Atay u shpreh se ky përvjetor shënon më shumë se një shekull progresi të jashtëzakonshëm dhe vizionin që ka formësuar Turqinë moderne, duke theksuar se arritjet e kombit turk vazhdojnë të shërbejnë si frymëzim për komunitetet e tjera në mbarë botën.

"Lidhjet tona me Shqipërinë formohen nga historia dhe kultura e përbashkët dhe konsolidohen sot përmes besimit politik, bashkëpunimit ekonomik dhe një vizioni të përbashkët për stabilitetin rajonal dhe integrimin evropian", tha ai.

Duke folur për partneritetin strategjik mes dy vendeve, Atay theksoi se lidhjet mes Ankarasë dhe Tiranës nuk janë thjesht çështje traktatesh, marrëveshjesh apo vizitash shtetërore, por sipas tij janë produkt i afërsisë kulturore dhe një vizioni të përbashkët për të ardhmen e Ballkanit dhe më gjerë.

"Ekonomia dhe tregtia formojnë shtyllën kurrizore të marrëdhënieve tona dypalëshe, ndërsa bashkëpunimi në industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes janë muskujt e tyre. Turqia ka qenë aktive në mbështetjen e modernizimit të forcave të armatosura shqiptare. Partneriteti shqiptaro-turk nuk mund të kuptohet i izoluar, është pjesë e vizionit më të gjerë të Turqisë për Ballkanin. Dhe me këtë vizion, Turqia kohët e fundit ka rimarrë komandën e misionit të NATO-s (në Kosovë)-KFOR. Si dy aleatë të NATO-s, kandidatë për BE-në dhe vende vërtet vëllazërore, Shqipëria dhe Turqia kanë potencial të madh për të zgjeruar bashkëpunimin e tyre në dekadën e ardhshme", tha ai.

Ambasadori turk u shpreh se institucionet turke në Shqipëri kryejnë përpjekje të përbashkëta për të ndihmuar Shqipërinë të ndërtojë të ardhmen e saj.

Festa kombëtare, Dita e Republikës së Turqisë shënohet më 29 tetor për të përkujtuar shpalljen e Republikës së Turqisë në vitin 1923.

Republika Turke u shpall nga Mustafa Kemal Ataturk, i cili më pas nga Asambleja e Madhe Kombëtare e vendit u zgjodh si presidenti i parë i Turqisë moderne.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın