Ambasada e Turqisë në Prishtinë organizon ceremoni përkujtimore për 15 Korrikun
- Ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, në ceremoni theksoi se lufta kundër FETO-s vazhdon me vendosmëri si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Angılı po ashtu vuri në dukje praninë e vazhdueshme të FETO-s në Kosovë

Prishtinë
PRISHTINË (AA) - Është mbajtur në Prishtinë ceremoni përkujtimore me rastin e shënimit të 15 Korrikut, që në Turqi shënohet si Dita e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, raporton Anadolu.
Ceremonia në Prishtinë u organizua nga ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı dhe është mbajtur në Rezidencën e Ambasadorit turk.
Në ceremoni morën pjesë ministri i Zhvillimit Rajonal njëherësh kryetar i Partisë Demokratike Turke në Kosovë (KDTP), Fikrim Damka, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, deputetja e KDTP-së, Fidan Brina Jılta si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke, lokale dhe ndërkombëtare.
Ceremonia filloi me një minutë heshtje, këndimin e himneve kombëtare dhe lutje për shpirtrat e dëshmorëve.
Ambasadori Angılı në ceremoni theksoi se lufta kundër FETO-s vazhdon me vendosmëri si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Angılı po ashtu vuri në dukje praninë e vazhdueshme të FETO-s në Kosovë.
"Kjo strukturë tinëzare, e cila maskohet nën maska të ndryshme, përbën një kërcënim të madh edhe për Kosovën. Zhvillimi i bashkëpunimit të sigurisë dhe forcimi i solidaritetit me Kosovën kundër këtij kërcënimi është një kërkesë e miqësisë dhe vëllazërisë sonë", tha ambasadori turk.
Ministri Damka duke kujtuar 15 korrikun e vitit 2016 tha se ata e ndjenin thellësisht periudhën e vështirë që po kalonte Turqia.
"Ne jo vetëm që pamë se çfarë ndodhi atë natë të errët, por gjithashtu qëndruam pranë Turqisë me lutjet tona, qëndrimin tonë dhe solidaritetin tonë. Sepse paqja dhe stabiliteti i Turqisë kanë shumë rëndësi jo vetëm për popullin e saj, por për të gjithë popujt miq dhe vëllezër në rajon", tha Damka.
Ndërkohë, një aktivitet përkujtimor u mbajt edhe në Mamushë, komunën e vetme turke të Kosovës, për të përkujtuar 15 Korrikun, Ditën e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.