Aliu në Ankara: Digjitalizimi është dera përmes së cilës çdo sistem shëndetësor duhet të kalojë
"Digjitalizimi nuk është zgjedhje, por dera përmes së cilës çdo sistem shëndetësor duhet të kalojë. Ai nuk nënkupton zëvendësimin e mjekëve me kompjuterë, por çlirimin e mjekëve nga detyra që asnjëherë nuk u kanë takuar", tha Aliu
Shkup
Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Azir Aliu, me ftesë të Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë ka marrë pjesë në Kongresin e 11-të Mjekësor Turk, që po mbahet në Ankara, transmeton Anadolu.
Siç njofton kabinetit i ministrit të Shëndetësisë, Aliu në fjalën e tij në këtë ngjarje theksoi se Maqedonia e Veriut përballet me të njëjtat sfida si edhe sistemet e tjera shëndetësore.
Si sfida të sistemit shëndetësor, ai përmendi numrin e kufizuar të specialistëve në fusha kyçe, infrastrukturën e vjetruar, sisteme digjitale që funksionojnë, por jo gjithmonë të ndërlidhura ndërmjet tyre, staf shëndetësor nën ngarkesë të madhe dhe siç tha ai, mbi të gjitha qytetarë që meritojnë qasje më të shpejtë në shërbimet shëndetësore.
“Digjitalizimi është pika fillestare e reformës. Digjitalizimi nuk është zgjedhje, por dera përmes së cilës çdo sistem shëndetësor duhet të kalojë. Ai nuk nënkupton zëvendësimin e mjekëve me kompjuterë, por çlirimin e mjekëve nga detyra që asnjëherë nuk u kanë takuar. Njëkohësisht, mjetet digjitale i mundësojnë një sistemi me burime të kufizuara të bëjë hapa përpara që dikur kërkonin dekada,” theksoi ministri Aliu.
Ai gjithashtu theksoi se sistemet shëndetësore të avancuara tashmë janë të fokusuara në inovacione si “binjakët digjital” që simulojnë rezultatet e trajtimit te pacientët, triazhimi i mbështetur nga inteligjenca artificiale që zbulon rrezikun para shfaqjes së simptomave, kirurgjia robotike në distancë dhe mjekësia gjenomike e personalizuar për secilin individ.
“Këto inovacione ndoshta ende nuk janë realiteti ynë, por janë tregues të drejtimit në të cilin po lëviz bota dhe se për çfarë duhet të përgatitet çdo shtet. Unë besoj në një të ardhme ku shëndetësia nuk është reaktive, por parashikuese, jo e ngadalshme, por inteligjente. Në këtë drejtim po përgatitet vendi im. Kjo është e ardhmja që mund ta ndërtojmë së bashku duke filluar që sot,” përfundoi ministri Aliu.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
