Alarmi për bombë në Kuvendin e Kosovës shtynë seancën për në mbrëmje
Policia e Kosovës ka thënë se kërcënimi në drejtim të Kuvendit erdhi përmes një sms-je.

Prishtinë
Një alarm për kërcënim me bombë në objektin e Kuvendit të Kosovës në Prishtinë, ka bërë që seanca plenare të shtyhet për në mbrëmje, raporton Anadolu.
Seanca e planifikuar të mbahet në orën 11:00 do të fillojë në orën 20:00 të shtunën.
Arben Loshi, zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, ka thënë se alarmi është bërë nga një person që ka kërcënuar në gjuhën angleze nëpërmjet telefonit.
“Është kërkuar evakuimi sepse në gjuhën angleze një person ka thirrë dhe ka thënë që një bombë është vendosë në ndërtesë dhe e njëjta do shpërthejë brenda 10 minutash”, ka thënë ai.
Deputetët filluan të mblidheshin rreth orës 11:00 për të vazhduar me përpjekjen e 42-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosvoës, kur papritmas zyrtarët policorë u kërkuan atyre dhe përfaqësuesve të mediave të dilnin jasht objektit të Kuvendit për shkak të kërcënimeve me bombë.
Të gjitha grupet parlamentare ju bindën paralajmërimit të Policisë duke lëshuar objektin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa mediave iu kërkua që të mbanin distancë edhe jashtë objektit të Kuvendit, për çështje sigurie.
Policia e Kosovës ka thënë se kërcënimi në drejtim të Kuvendit erdhi përmes një sms-je.
“Sot, me datë 05.07.2025 në orët e paradites, është pranuar një informatë (me sms), për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të RKS-së. Me të pranuar informatën, janë angazhuar njësitë kompetente policore, të cilat fillimisht kanë bërë perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar personat nga objektet. Policia e Kosovës ka njoftuar prokurorinë kompetente dhe hetuesit policorë të cilët së bashku me njësitë dhe ekspertët përkatës për deminim, janë duke marrë veprimet e duhura të kontrollit në objekt”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituojë Legjislaturën e Nëntë për 41 herë me radhë. Për disa ditë për këto dështime kanë protestuar me aksione të ndryshme qytetarë nga shoqëria civile.