Aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, vendosen 120 karrige me mesazhe kritikuese për deputetët
"Ky nuk është serial – është shteti ynë", "Deri kur?", "Cirku i demokracisë", "Për çka ju kemi zgjedhur?", "120 rroga – 0 përgjegjësi", "Boll" dhe mesazhe të tjera u vendosën në karrige

Prishtinë
Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë kanë bërë një performancë simbolike lidhur me bllokimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, raporton Anadolu.
Në mënyrë simbolike para Kuvendit të Kosovës u vendosën 120 karrige, aq sa ka institucioni legjislativ në Kosovë, mbi të cilat u shkruajtën mesazhe të ndryshme kritike lidhur me vonimin e krijimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Disa nga mesazhet e vendosura në karriget simbolike ishin: “120 rroga, 0 përgjegjësi”, “Deri kur?”, “Cirku i demokracisë”, “Ky nuk është serial – është shteti ynë”, “Për çka ju kemi zgjedhur?”, ishin disa nga mesazhet që u përçuan në këtë aksion.
Aksioni u organizua pak para se të nisë përpjekja e 22-të për konstituim të Kuvendit.
Kuvendi i Kosovës është bllokuar në pikën e votimit të kandidates për kryetare të Kuvendit të Kosovës tash e afër një muaj e gjysmë. Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet.
Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.