BALLKANI

Aksident në autostradën Demir Kapi-Negotinë, një migrant i vdekur

Një migrant nga Bangladeshi ka humbur jetën dhe 12 të tjerë janë lënduar, prej të cilëve katër më rëndë, në një aksident në të cilin janë përfshirë tre automjete, njoftoi MPB e Maqedonisë së Veriut

Dzihat Aliju  | 24.08.2019 - Përdıtësım : 28.08.2019
Aksident në autostradën Demir Kapi-Negotinë, një migrant i vdekur

Shkup

Të paktën një migrant ka humbur jetën ndërsa 12 të tjerë janë lënduar, katër prej të cilëve në gjendje të rëndë, si pasojë e një aksidenti në autostradën Demir Kapi-Negotinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Incidentin e bëri të ditur Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut, duke njoftuar se aksidenti ka ndodhur mbrëmë, mes dy automjeteve udhëtarësh, njëri me targa serbe dhe tjetri me targa të Maqedonisë së Veriut, si dhe një automjeti mallrash po ashtu me targa vendase.

Në aksidentin e ndodhur shoferi i automjetit që ka transportuar 13 migrantë, prej të cilëve 10 nga Pakistani dhe tre nga Bangladeshi, është larguar nga vendi i ngjarjes.

"Një person 20-vjeçar nga Bangladeshi ka humbur jetën, ndërsa katër persona-migrantë kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe janë transportuar në kompleksin e klinikave 'Nënë Tereza' në Shkup, ndërkohë që tetë migrantëve që kanë marrë lëndime trupore u është dhënë ndihma në spitalin në Kavadarc", thuhet në njoftimin e MBP-së.

Ekspertizën në vendin e ngjarjes e ka kryer prokurori publik dhe ekipi nga stacioni policor në Negotinë, thuhet më tej në njoftim, duke u potencuar se po merren masa për zbardhjen e rastit.

Gjithashtu, me urdhër të prokurorit publik, trupi i migrantit të ndjerë është dërguar për autopsi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.