62 vjet nga tërmeti shkatërrues i Shkupit: Dëshmitari kujton mëngjesin më të errët në historinë e qytetit
Më 26 korrik 1963, kur një tërmet me magnitudë 6,1 sipas shkallës Rihter goditi Shkupin, qyteti u zhyt nën rrënoja, por në atë pluhur dhe frikë, lindën mijëra tregime për mbijetesë, solidaritet dhe trimëri

Shkup
“Tri mure kishin rënë mbi shtratin e motrës sime. Po të ishte ajo këtu, me siguri do të kishte humbur jetën”. Me këto fjalë, 76-vjeçari Vanço Dimishkovski, sot një ushtarak në pension, në një bisedë me Anadolu rikujton ditën më të vështirë në historinë e Shkupit, 26 korrik 1963, kur një tërmet me magnitudë 6,1 sipas shkallës Rihter goditi qytetin.
Katastrofa që mori mbi 1.000 jetë dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale, sot shënon 62-vjetorin.
Shkupi u zhyt nën rrënoja, por në atë pluhur dhe frikë, lindën mijëra tregime për mbijetesë, solidaritet dhe trimëri.
Dimishkovski, i lindur dhe rritur në lagjen shkupjane “Debar Maallo”, në momentin e tërmetit ndodhej në shtëpi me babain dhe një mik të tij. Ishte vetëm 14 vjeç atëherë.
“Në momentin kur ndodhi tërmeti ishte mëngjes, ora 5 e 17 minuta, diçka e njohur për të gjithë. Tek ne ishte një mik i babait tim, kishte ardhur nga Beogradi. Njeri trupmadh, e shtyu derën hyrëse dhe doli me vrap jashtë, dhe ne dolëm”, kujton ai.
“Një minutë si një vit”
Vanço kujton pamjen që i doli para syve kur doli jashtë, skena që ngjanin me apokalips, njerëz në panik, klithma, tym dhe rrënoja.
“Ato momente të para, një minutë ishte si një vit. Shtëpi të çara, tym që shihej nga larg. Panik i përgjithshëm, njerëzit vraponin, por nuk dinin ku shkonin. Kërkonin shpëtim, por nuk dinin nga çfarë”.
Kur më në fund u përmblodh nga shoku, Vanço pa çfarë kishte ndodhur me shtëpinë e tyre, muret ishin të çara, pjesë të shtëpisë ishin shembur. Por mendimi më i tmerrshëm mbeti se motra e tij mund të kishte qenë viktimë.
“Tri mure kishin rënë mbi shtratin e motrës sime. Po të ishte ajo këtu, me siguri do të kishte humbur jetën. Për fat të mirë, nuk ishte as ajo, as nëna. Ishim vetëm...”, tregon ai.
Për orë dhe ditë pas tërmetit, qyteti ishte në kolaps të plotë, nuk kishte ushqim, komunikim, energji elektrike dhe asnjë ide se çfarë do të ndodhte më tej.
Por, falë reagimit të shpejtë të Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë, brenda disa ditëve filloi shpërndarja e ujit, ushqimit dhe çadrave.
Katër ditë me lopatë për të shpëtuar të dashurën
Në ato ditë shprese të humbur, lindën edhe tregime heroike, si ajo e fqinjit të Vanços, xhaxhi Mlladenit.
“Kisha një komshi dhe një komshike në rrugën tonë. Gruaja, tezja Kërstana, shiste gazeta. Në vetë stacionin kishte një kiosk, e zuri kur u shemb stacioni. Xhaxhi Mlladeni, burri i saj, katër ditë dhe katër netë e hapi rrënojën me lopatë. I thoshin: ‘ik njeri’. ‘Më lini, ajo është atje, edhe unë jam atje’, u thoshte. E nxori të gjallë dhe i dhanë ndihmë”, tregon Vanço.
Por jo të gjithë kishin fat. Disa jetë u shuan në një çast, siç ishte rasti i kushëririt të shoqes së tij, një student në Beograd, që ishte kthyer në shtëpi për të parë familjen një ditë para tërmetit, por fatkeqësisht nuk e priti ditën tjetër.
Ndoshta kanë kaluar dekada, por çdo korrik, një kujtim del në sipërfaqe.
Për Vançon nuk është e lehtë të kujtojë ngjarjet nga tërmeti.
“Kur flas për këtë, gjithmonë më mbërthejnë emocionet. Kjo mbetet brenda. Ndoshta pjesën më të madhe të jetës është diku thellë, por e di si të dalë në sipërfaqe, kur fillon tërmeti, deri ku do të shkojë, a do ta gjejë përsëri Shkupin?”.
Tërmeti në Shkup
Më 26 korrik 1963, në orën 5:17 të mëngjesit, Shkupi u shkatërrua nga një tërmet me magnitudë 6,1 sipas shkallës së Rihterit, që zgjati 20 sekonda, dhe lëkundje më të vogla vazhduan deri në orën 5:43.
Tërmeti i Shkupit u ndie në një hapësirë prej rreth 50.000 kilometra katrorë, përgjatë luginës së lumit Vardar. Nga tërmeti u shembën 15.800 banesa dhe rreth 28.000 u dëmtuan.
Mbi 200.000 njerëz mbetën pa strehë. Nën rrënoja humbën jetën 1.070 qytetarë, dhe mbi 4.000 u lënduan.
Pas tërmetit, qyteti filloi të rindërtohej sipas projekteve të arkitektëve Kenzo Tange dhe Adolf Ciborowski.
Stacioni i vjetër i trenit sot është Muzeu i Qytetit të Shkupit dhe përfaqëson simbolin e tërmetit të madh.
Ora në stacion është ndalur përgjithmonë në kohën fatale 5:17.
Sipas dëshmive të shkupjanëve, ndihma e parë për qytetarët e Shkupit erdhi nga ushtria dhe qytetarët e ish-republikave jugosllave, dhe disa ditë pas tërmetit filluan të vijnë ndihma dhe ekipe shpëtimi nga e gjithë bota.
Në total, 87 shtete nga e gjithë bota dërguan ndihmë në Shkup dhe ndihmuan që ai të rindërtohej, prandaj qyteti mban edhe epitetin “qyteti i solidaritetit”.
Një ditë pas tërmetit, presidenti i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, Josip Broz-Tito, deklaroi: “Shkupi përjetoi një katastrofë të paparë, por Shkupin do ta ndërtojmë përsëri. Ai do të bëhet krenari dhe simbol i vëllazërisë dhe unitetit, i solidaritetit jugosllav dhe ndërkombëtar”.
Kjo deklaratë e Titos edhe sot e kësaj dite qëndron e varur në Stacionin e Vjetër të Trenit si një memorial për solidaritetin në rindërtimin e Shkupit pas tërmetit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.