2025-ta vlerësohet vit i humbur për Kosovën në raportin e raportuesit evropian Terras
Në këtë draft-raport është vlerësuar se Kosova ka shënuar përparime në reforma zgjedhore, qëndrueshmëri ekonomike dhe mbrojtje të të drejtave themelore
Prishtinë
Vit i humbur për Kosovën është vlerësuar 2025-ta në draft-raportin e përpiluar nga raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE), Riho Terras, transmeton Anadolu.
Raportuesi evropian Terras ka thënë në draft-raport se mosformimi i institucioneve gjatë vitit 2025 e bën këtë vit të humbur për Kosovën.
"Në përmbledhje, viti 2025 duhet të konsiderohet një vit i humbur për Kosovën, pasi pas zgjedhjeve të rregullta për Kuvendin në shkurt, nuk u arrit të vihej në funksion as organi legjislativ dhe as qeveria. Megjithëse të tri zgjedhjet që u mbajtën në Kosovë gjatë vitit 2025, dy parlamentare dhe një lokale, u zhvilluan në mënyrë paqësore dhe të rregullt, procesi normal politik u ndërpre thellësisht. Si pasojë, disa reforma politike dhe ekonomike pësuan stagnim ndërsa Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor nuk mundi të zbatohej", thuhet në draft-raport.
Në këtë draft-raport është vlerësuar se Kosova ka shënuar përparime në reforma zgjedhore, qëndrueshmëri ekonomike dhe mbrojtje të të drejtave themelore, por, reforma gjyqësore, liria e medias, efikasisteti i administratës publike dhe digjitalizimi i shërbimeve publike janë cilësuar ende sfidë.
Sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi, është vlerësuar se ai nuk ka dhënë rezultatet e pritura.
Draft-raporti ka thënë po ashtu se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës që nga viti 2023 kanë patur ndikim shumë negativ në progresin e Kosovës drejt Evropës, ku është vlerësuar se si pasojë e këtyre masave, ekziston rreziku që mbështetja për BE-në të zbehet në Kosovë.
Draft-raporti i përpiluar nga Terras do të shqyrtohet në mbledhjen e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) më 16-17 mars ndërsa nëse ai miratohet në Parlamentin Evropian, bëhet rezolutë zyrtare e këtij institucioni.
