BALLKANI

Zv/ministrja turke e Kulturës dhe Turizmit vizitë në Shqipëri

Zv/ministrja turke e Kulturës dhe Turizmit, Özgül Özkan Yavuz, së bashku me zyrtarë të institucioneve turke dhe shqiptare, ka vizituar ekspozitat e hapura në kuadër të Javës së Kulturës Turke, si dhe xhaminë Et'hem Beu në Tiranë

Fatjon Cuka  | 06.07.2022 - Përdıtësım : 07.07.2022
 Zv/ministrja turke e Kulturës dhe Turizmit vizitë në Shqipëri

Tiranë

 Zv/ministrja turke e Kulturës dhe Turizmit, Özgül Özkan Yavuz, në kuadër të vizitës së saj në Shqipëri, ka vizituar ekspozitat e hapura në kuadër të Javës së Kulturës Turke, si dhe xhaminë Et'hem Beu në Tiranë, raporton Anadolu Agency (AA).

Së bashku me ambasadorin e Türkiye-s në Tiranë, Tayyar Kağan Atay dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve turke dhe shqiptare, Yavuz vizitoi ekspozitën "Letërsia Turke në Shqip", në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe ekspozitën e artit bashkëkohor "Kontakti i ngushtë" (Close Contact), me projektet e disa artistëve të rinj turq.

Ekspozita “Letërsia Turke në Shqip” e cila do të qëndrojë e hapur deri më datë 12 korrik në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë përfshin 300 vepra të autorëve turq të përkthyera nga turqishtja në shqip nga botues në Shqipëri dhe Kosovë, me mbështetjen e programit për mbështetjen e përkthimit dhe botimeve TEDA.

Ekspozita "Kontakti i ngushtë", e hapur nga 30 qershor deri më 7 korrik në Galerinë FAB, në ambientet e Fakultetit të Arteve të Bukura pranë Universitetit të Arteve në Tiranë, bashkon projektet e 11 artistëve të rinj turq në kontekste të ndryshme dhe data të ndryshme, duke sjellë sipas tyre kontaktin e ngushtë të njerëzve me mendime të ndryshme apo kontaktin e ngushtë të audiencave të ndryshme, me perspektivën kuratoriale të kuratorit Tansel Türkdoğan.

Ndërkohë, zv/ministrja Yavuz, së bashku me ambasadorin turk, koordinatoren e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Tiranë, Emine Gizem Başkan, vizitoi edhe xhaminë Et'hem Beu në Tiranë, që është restauruar nga TIKA.

Yavuz në fillim të vizitës në Shqipëri vizitoi edhe Parkun e Madh të Liqenit Tiranë, ku është zbatuar projekti leximit në natyrë të librit për fëmijë "Supermeni i vogël", të poetit Mevlana İdris Zengin, përkthyer edhe në shqip.

Vizita e zv.ministres Yavuz realizohet në kuadër të Javës së Kulturës Turke e cila mbahet nga 29 qershor deri më 7 korrik e që po vazhdon në disa qytete të Shqipërisë, organizuar nën kujdesin e Ministrisë turke të Kulturës dhe Turizmit dhe Ambasadës së Türkiye-s në Tiranë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Bashkisë së Tiranës dhe Institutit "Yunus Emre" Tiranë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın