BALLKANI

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, voton kryeministri Rama

Kryeministri Rama së bashku me bashkëshorten e tij, Linda Rama, kanë votuar në qendrën e votimit të vendosur në ambientet e Shkollës së Mesme të Bashkuar në fshatin Surrel

Fatjon Cuka  | 11.05.2025 - Përdıtësım : 11.05.2025
 Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, voton kryeministri Rama Foto: Umeys Sulejman/AA

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, votoi për zgjedhjet parlamentare në qendrën e votimit të fshatit Surrel në Qarkun e Tiranës, raporton Anadolu.

Kryeministri Rama, i cili është edhe kryetari i partisë në pushtet, Partisë Socialiste (PS), së bashku me bashkëshorten e tij, Linda Rama, kanë votuar në qendrën e votimit të vendosur në ambientet e Shkollës së Mesme të Bashkuar Surrel.

Në një deklaratë për mediat pas votimit, Rama tha se sot është fjala e popullit, si dhe shtoi se po bëjnë gjithçka për ta bërë Shqipërinë pjesë të Bashkimit Evropian (BE).

“Të presim çfarë do të thotë populli”, theksoi ai.

Në Shqipëri po vazhdon procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare, ku qytetarët me të drejtë vote do të zgjedhin përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë me 140 mandate.

Të drejtën e votës e kanë 3.713.761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit, ndër ta 114.642 zgjedhës votojnë për herë të parë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar se për këto zgjedhje janë regjistruar 53 parti politike si subjekte zgjedhore, mes tyre dhe disa parti të reja, ndërkohë që garojnë 3 koalicione parazgjedhore.

Risia kryesore e zgjedhjeve është votimi nga jashtë Shqipërisë, pasi për herë të parë votojnë edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Procesi i votimit për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit filloi më 15 prill 2025 në rrugë postare.

Zgjedhjet vëzhgohen nga një mision i Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). Delegacione vëzhguese gjithashtu do të ketë edhe nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe një delegacion nga Parlamenti Evropian, si dhe nga organizata të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.