BALLKANI

“Zgjedhja e nënkryetarit Nenad Rashiq në Kuvend ishte jokushtetuese”

Gjykata arriti në përfundimin se zgjedhja e Rashiqit nuk ka ardhur si rezultat i një propozimi nga shumica e deputetëve të komunitetit serb

Agim Sulaj  | 28.01.2026 - Përdıtësım : 28.01.2026
“Zgjedhja e nënkryetarit Nenad Rashiq në Kuvend ishte jokushtetuese”

Prishtinë

Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka konstatuar se zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb në seancën e 10 tetorit 2025, nuk ka qenë në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, raporton Anadolu.

Kushtetuesja e ka shpallur këtë vendim me rastin e inicuar nga deputeti i partisë Lista Serbe, Igor Simiq, dhe nëntë deputetëve tjerë të Kuvendit të Kosovës.

Në arsyetimin e saj, Gjykata rikujtoi se në seancën e 10 tetorit 2025 e cila ishte vazhdim i seancës konstitutive të Kuvendit, e nisur më 15 prill 2025, kryetari i kuvendit ftoi shumicën e deputetëve nga komuniteti serb që të propozonin kandidatin për nënkryetar.

Fillimisht u propozua deputeti Slavko Simiq, por ai nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme në tri votime radhazi. Procedura e propozimit dhe votimit u përsërit për gjithsej nëntë kandidatë të propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, por asnjëri prej tyre nuk u zgjodh. Më pas, kryetari i kuvendit kërkoi që të propozohej deputeti i fundit i pakandiduar deri në atë moment, Nenad Rashiq. Pas refuzimit të këtij propozimi nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, kryetari i kuvendit, Dimal Basha, aplikoi procedurën e shortit, duke e hedhur emrin e Rashiqit në votim.

Deputeti serb i cili nuk është pjesë e Listës Serbe, Nenad Rashiq, u zgjodh nënkryetar me 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime, çka çoi në përmbylljen e seancës konstitutive.

Gjykata Kushtetuese vlerësoi se çështja kyç në këtë rast lidhet me të drejtën e propozimit për nënkryetar nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë.

Sipas Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe praktikës gjyqësore, kjo e drejtë thuhet se i takon shumicës së deputetëve të atij komuniteti dhe përbën një garanci thelbësore për përfaqësim efektiv në Kryesinë e Kuvendit.

Sipas Gjykatës, mekanizmat zhbllokues, si votimi deri në tri herë dhe procedura e shortit, mund të përdoren vetëm në rrethana përjashtimore dhe nuk mund të shërbejnë për të anashkaluar të drejtën kushtetuese të propozimit.

Në rastin konkret, Gjykata konstatoi se shumica e deputetëve të komunitetit serb nuk kishte refuzuar të propozojë kandidatë, pasi kjo e drejtë ishte shfrytëzuar duke propozuar nëntë emra.

Për rrjedhojë, Gjykata arriti në përfundimin se zgjedhja e Rashiqit nuk ka ardhur si rezultat i një propozimi nga shumica e deputetëve të komunitetit serb dhe se mekanizmat zhbllokues ishin përdorur në kundërshtim me qëllimin dhe frymën e kushtetutës.

Vendimi i Kushtetueses konsideron se për të ruajtur stabilitetin institucional dhe sigurinë juridike, ky aktgjykim nuk do të prodhojë pasoja prapavepruese.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.