BALLKANI

“Synojmë fuqizimin e bashkëpunimit kundër trafikimit me njerëz”

“Ajo që vazhdimisht synojmë që do të potencojmë në këtë fushatë janë: fuqizimi i mekanizmave për parandalimin, identifikimin dhe luftën ndaj trafikantëve”, tha ministri në detyrë i Punëve të Brendshme

Agim Sulaj  | 18.10.2019 - Përdıtësım : 19.10.2019
“Synojmë fuqizimin e bashkëpunimit kundër trafikimit me njerëz” ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka organizuar konferencë të premten me rastin e Ditës së Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit me Njerëz dhe hapjes së fushatës kundër trafikimit me njerëz e cila do të zgjasë për një muaj, raporton Anadolu Agency (AA).

Fushata e cila është quajtur “Mos Hesht”, synon ngritjen e vetëdijes së qytetarëve dhe fuqizimin e ndërgjegjësimit mbi këtë fenomen.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, tha se synojnë fuqizimin e bashkëpunimit vendor dhe ndërkombëtarë për një partneritet më të fortë kundër trafikimit me njerëz.

“Ajo që vazhdimisht synojmë, e të cilën do ta potencojmë në këtë fushatë janë: fuqizimi i mekanizmave për parandalimin, identifikimin dhe luftën ndaj trafikantëve, rritja e efikasitetit në zbatimin dhe zbulimin e ndjekjes së trafikantëve, fuqizimi i bashkëpunimit vendor dhe ndërkombëtar për një partneritet të fuqizuar ndaj trafikimit me njerëz. Gjithashtu duhet cekur edhe puna e Ministrisë së Brendshme që po e bën së bashku me autoritetin kombëtar anti-trafikim për hartimin e strategjisë së re, për planin vjetor të veprimit 2020-2024”, tha Mustafa.

Hysen Gashi, këshilltari politik i kryeministrit në detyrë, tha se kjo temë është me rëndësi për shoqërinë por nuk është problem vetëm i një shteti, por problem global. Gashi tha se duhet bërë shumë punë që të mos lejohet të rritet kjo dukuri.

“Ajo çfarë është me rëndësi është se edhe ne si shtet duhet të kemi një bashkëpunim të vazhdueshëm në organizmat rajonalë, ndërkombëtarë në gjerësi që të mos e lëmë këtë veti dhe këtë dukuri që të rritet në vazhdimësi por t’i japim ndihmën tonë që çdo institucion shtetëror të jetë i gatshëm të ndihmojë edhe Policinë edhe Prokurorinë edhe Gjyqësorin, edhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Arsimit”, tha Gashi.

Në konferencë kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) të cilët kanë treguar se kanë zgjidhur 13 raste në vitin 2018, ndërsa këtë vit kanë 9 raste.

Nga të dhënat e Policisë së Kosovës u shpalos se në vitin 2019 policia ka identifikuar 106 raste për hetim,152 persona janë arrestuar si të dyshuar, ndërsa 15 persona janë identifikuar si viktima.

Në kuadër të kësaj fushate do të organizohen aktivitete të shumta, ndër to, gjatë ligjëratës së ditës së xhuma nëpër të gjitha xhamitë e Kosovës do të ligjërohet për dukurinë e trafikimit me njerëz.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın