BALLKANI

“Në të ardhmen e afërt do të shpallen planet për Shtetin Sovran të Urdhrit Bektashi në Tiranë”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar për një media të huaj se në të ardhmen do të shpallë planet për një entitet në Tiranë, që raportohet se do të jetë një enklavë sovrane e modelit të Vatikanit

Fatjon Cuka  | 21.09.2024 - Përdıtësım : 23.09.2024
“Në të ardhmen e afërt do të shpallen planet për Shtetin Sovran të Urdhrit Bektashi në Tiranë” Foto: Arkiv/AA

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar për një media të huaj se në të ardhmen e afërt do të shpallë planet për një entitet në Tiranë, që do të quhet Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi, transmeton Anadolu.

Sipas artikullit të një media amerikane, artikull i konfirmuar për Anadolu nga zyra e shtypit e Kryeministrisë së Shqipërisë, shteti i ri i mundshëm në Tiranë, do të jetë një enklavë sovrane e modelit të Vatikanit.

"Kryeministri Edi Rama thotë se ai dëshiron t’u japë anëtarëve të Bektashinjve (Komuniteti Bektashi), një rend sufi shiit, enklavën e tyre të stilit të Vatikanit si një mënyrë për të promovuar tolerancën fetare", thuhet në shkrimin e medias amerikane.

Sipas medias, kryeministri Rama ka thënë se ”qëllimi i shtetit të ri ishte promovimi i një versioni tolerant të islamit për të cilin Shqipëria krenohet”.

“Ne duhet të kujdesemi për këtë thesar, që është toleranca fetare. Një mikroshtet i moderuar islamik, do të dërgonte një mesazh: 'Mos lejoni që stigma e muslimanëve të përcaktojë se cilët janë muslimanët'", citohet të ketë thënë Rama.

Sipas lajmit, një vend që ka shumë pak gjasa ta njohë shtetin e ri nëse krijohet është Irani. “Iranianët janë sinqerisht mendimi im i fundit”, është shprehur Rama, duke vënë në dukje se Shqipëria i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin në vitin 2022 pasi e lidhi këtë shtet me një sulm kibernetik ndaj Qeverisë shqiptare dhe rrjeteve bankare.

Gjithashtu theksohet se kryeministri Rama ka pranuar se ”krijimi i një shteti sovran islamik në Tiranë do të kërkonte kohë”.

Në Shqipëri ndodhet Selia e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Sipas të dhënave të "Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023 në Shqipëri", publikuar në qershor 2024 nga Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), në Shqipëri janë deklaruar bektashi 115.644 banorë të vendit, ku rezulton se popullsia banuese në vend është mbi 2,4 milionë banorë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.