BALLKANI

“Me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës fitojnë të gjithë”

Ministrja Gërvalla tha se me pranimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare Evropa fiton më shumë stabilitet në Ballkanin Perëndimor, të lodhur nga luftërat dhe krizat

Agim Sulaj  | 13.05.2022 - Përdıtësım : 14.05.2022
“Me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës fitojnë të gjithë” Foto: Zylfije Adem Jakupi/AA

Prishtinë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, ka thënë se me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE), nuk humbet askush dhe fitojnë të gjithë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media, një ditë pasi ajo personalisht dorëzoi aplikimin zyrtar të Kosovës për t’u bërë anëtarë në Këshillin e Evropës (Council of Europe) në Strasburg të Francës, ministrja Gërvalla tha se me pranimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare Evropa fiton më shumë stabilitet në Ballkanin Perëndimor të lodhur nga luftërat dhe krizat.

“Nga anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës fitojnë të gjithë dhe nuk humbet askush. Fitojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, fitojnë edhe shqiptarët edhe të tjerët. Fiton edhe rajoni, shtetet e të cilit janë të gjitha anëtare të Këshillit të Evropës, fiton Këshilli i Evropës duke pranuar në gjirin e tij shtetin i cili është shndërruar në lider të demokracisë në rajon. Fiton Evropa, sepse fiton më shumë stabilitet, paqe dhe demokraci në Ballkanin Perëndimor të lodhur nga luftërat dhe nga krizat”, theksoi Gërvalla.

Gërvalla tha se janë të vetëdijshëm që ky është hapi i parë në një rrugë të gjatë, por janë të gatshëm të punojnë shumë me të gjitha shtetet anëtare të KE-së dhe partnerët dhe aleatët e Kosovës për këtë anëtarësim.

“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të jetë për vendin tonë ndoshta hapi më i rëndësishëm që nga pavarësia e vitit 2008 në rrugën tonë drejtë integrimeve evropiane. Jemi të përgatitur mirë sepse kushtet dhe normat e Këshillit të Evropës jemi duke i aplikuar që nga dita e parë. Kosova është ndër shtetet e pakta dhe ndoshta shteti i vetëm i cili në Kushtetutën e tij e ka inkorporuar drejtpërdrejtë Këshillin e Evropës dhe si pjesë të tij edhe Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg”, theksoi Gërvalla.

Tutje ministrja Gërvalla ka thënë se Serbia duhet ta mbështesë pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës “nëse ajo vërtetë interesohet për qytetarët serbë të Kosovës”.

Kryediplomatja kosovare tha se Kosova po punon për njohje të reja, ndërsa është shprehur e bindur se shtetet që e kanë njohur pavarësinë do ta përkrahin edhe pranimin në KE, ndërsa, sipas saj, ka raste kur edhe shtetet që s’e kanë njohur Kosovën, do ta mbështesin për pranim në këtë organizatë.

Pas aplikimit të ministres Gërvalla në këtë organizatë, dje reagoi presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, i cili konsideroi se me këtë Prishtina zyrtare ka shkelur "brutalisht" Marrëveshjen e Washington-it, Marrëveshjen e Brukselit dhe Rezolutën 1244.

Vuçiq tha se pas këtij aplikimi qëndrojnë vendet kryesore perëndimore, por, megjithëkëtë, shtoi se do të bëjnë gjithçka për t’iu kundërpërgjigjur politikisht veprimit të Kosovës.

Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Të drejtat e njeriut dhe liritë elementare janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila ka ngërthyer në vete edhe konventat e Këshillit të Evropës, duke përfshirë Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Elementare dhe Protokollet e saj.

Mundësia e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës u hap nga 16 marsi i këtij viti kur zyrtarisht u përjashtua nga ky institucion Federata Ruse, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë. Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate të cilat e njohin pavarësinë e Kosovës, i japin shtetit të Ballkanit Perëndimor mundësi reale për anëtarësim.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın