BALLKANI

“Kosova po e përcjell me shqetësim situatën e tensionuar mes Izraelit dhe Iranit”

“Në një botë që ka nevojë më shumë se kurrë për stabilitet dhe paqe, përshkallëzimi i dhunës mund të shkaktojë jo vetëm tragjedi njerëzore për palët e përfshira, por edhe paqëndrueshmëri të sigurisë dhe financiare globale”, thuhet tutje në njoftim

Agim Sulaj  | 14.06.2025 - Përdıtësım : 14.06.2025
“Kosova po e përcjell me shqetësim situatën e tensionuar mes Izraelit dhe Iranit” Foto: AA/Arkiv

Prishtinë

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se po e përcjell me shqetësim situatën e tensionuar mes Izraelit dhe Iranit dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të përmbahen, me qëllim të shmangies së përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës së sigurisë në rajon, transmeton Anadolu.

Sipas reagimit të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Irani ka "përshpejtuar pasurimin e uraniumit saqë edhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) deklaroi të enjten se Irani nuk po përmbushte detyrimet e tij për mospërhapjen bërthamore".

“Prandaj, Irani duhet të ndalojë veprimet hibride që cenojnë stabilitetin rajonal dhe më gjerë dhe t’i përmbahet detyrimeve të IAEA-së. Kosova beson fuqishëm se zgjidhja diplomatike është rruga e duhur për adresimin e çështjeve të sigurisë, ndaljen e dhunës dhe për të parandaluar pasoja më të gjera rajonale e globale”, thuhet në njoftim.

Më tej, qeveria kosovare konsideroi se është thelbësore që jeta e civilëve të mbrohet në çdo rrethanë, duke u bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, sidomos atyre që ndodhen apo kanë kontakte në rajon, të ushtrojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin me përpikëri udhëzimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe ato të autoriteteve vendore ku ndodhen.

“Në një botë që ka nevojë më shumë se kurrë për stabilitet dhe paqe, përshkallëzimi i dhunës mund të shkaktojë jo vetëm tragjedi njerëzore për palët e përfshira, por edhe paqëndrueshmëri të sigurisë dhe financiare globale”, thuhet tutje në njoftim.

Qeveria thekson se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të paqes, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare dhe shpreh solidaritet me të gjithë qytetarët e prekur nga kjo situatë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın