“Bukuroshja e Fjetur”, pasuria e fshehur nën Bjeshkët e Nemuna të Kosovës
E emërtuar si Shpella e Radacit për shkak të fshatit të afërt, kjo mrekulli nën-tokësore është një ndër atraksionet më të veçanta natyrore të pjesës perëndimore të territorit të Kosovës

Pejë
Në fshatin Radac të Pejës, rrëzë Bjeshkëve të Nemuna, aty ku mali takohet me ujin, fshihet një pasuri e rralle natyrore, përkatësisht Shpella e Radacit, e njohur ndryshe edhe si “Bukuroshja e Fjetur”.
E emërtuar si Shpella e Radacit për shkak të fshatit të afërt, kjo mrekulli nën-tokësore është një ndër atraksionet më të veçanta natyrore të pjesës perëndimore të territorit të Kosovës.
Në fillim zhurma qetësuese e Drinit të Bardhë, pastaj qetësia mistike e shpellës
Ende pa arritur tek shpella, syri i vizitorëve zë rrjedhën gjëmuese të Drinit të Bardhë në mes shkëmbinjsh të lartë dhe të egër.
Ujërat e kristalta të këtij lumi shpërthejnë me vrull nga zemra e maleve duke formuar një ujëvarë spektakolare, poshtë së cilës turistët krijojnë kujtime duke bërë fotografi.
Drini i Bardhë, që rrjedh 122 kilometra përmes Kosovës, mbledh ujërat e Lumëbardhit të Pejës, Erenikut, dhe Lumbardhit të Prizrenit, duke ushqyer edhe basenin më të madh ujëmbledhës të vendit.
“Bukuroshja e Fjetur”, mbahet zgjuar nga vizitorët
Një portë e ngushtë që sjellë freskinë me t’u afruar, është hyrja brenda shpellës ku kanë shkelur qindra dhe mijëra vizitorë edhe këtë verë, për të parë bukuritë nën-tokësore.
Galeritë e gjata, të stolisura me stalaktite e stalagmite, duken si skulptura të gdhendura nga duart e ndonjë “skulptori” të padukshëm.
Udhëtimi dhjetëra-metërsh që zgjat rreth gjysmë ore përmes “Galerisë hyrëse”, “Galerisë së blloqeve”, apo asaj të “Vaskave” dhe “Meduzës”, është sikurse një shëtitje në ndonjë përrallë fëmijërore e cila prishet vetëm atëherë kur të jesh “kërcënuar” nga shpejtësia e lakuriqëve që të kalojnë mbi kokë apo rrëshqitjet që mund të kesh gjatë ecjes, për shkak të terrenit vende-vende me lagështi.
Uji që dikur kalonte nëpërmjet shpellës shumë vjet më herët, ka formuar një sërë vaskash me thellësi deri dy apo tre metër, gjë që i ka dhënë emrin kësaj pjesëze të bukur të shpellës si “Galeria e Vaskave”.
Në pjesë të sipërme të shpellës, mund të shohësh pjesë të nxira rrethore në gurë, që janë formuar për shkak të gjumit letargjik të lakuriqëve.
Shpella ka një gjatësi prej 3620 metër dhe hulumtimet për të akoma vazhdojnë. Ajo gjithashtu përpos vizitorëve, pret edhe studiues nga vende të ndryshme të botës.
Vizita në Radac është një simfoni e natyrës, ku bëhen bashkë qetësia e shpellës brenda së cilës pikat e ujit bien nga tavani me tinguj të butë dhe me fuqinë e ujëvarës jashtë shpellës, që të kujton madhështinë e natyrës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.