Zv/revizori i përgjithshëm i Maqedonisë: Ne jemi kujdestarë të parave të qytetarëve
“Në Evropë dhe në mbarë botën, revizioni financiar nuk është aq shumë temë aktuale si revizioni i performancës. Ne si Ent shtetëror i revizionit çdo vit shkojmë drejt ngritjes së revizionit të performancës", thotë Ademi
Shkup
SHKUP (AA) - Admir Fazlagikj
Enti Shtetëror për Revizion i Maqedonisë është një insitucion i pavarur për kontrollin e përdorimit të buxhetit dhe fondeve të tjera publike në vend.
Ky institucion synon që në kohë dhe objektivisht të informojë autoritetet kompetente dhe publikun mbi gjetjet e kontrollit, ndërsa nga kryerja e kontrollit përmes rekomandimeve të qarta dhe efektive te përdoruesit e fondeve publike të kontribuojë në përmirësimin e menaxhimit të tyre.
Zv/drejtori i Entit Shtetëror për Revizion, Naser Ademi, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) foli për objektivat e këtij institucioni dhe funksionimin e tij, si dhe aktivitetet aktuale dhe projektet që janë duke i zbatuar.
“Ne jemi kujdestarë të parave të qytetarëve. Kjo është në misionin tonë dhe në misionin tonë e potencojmë. Me të gjitha institucionet në vendin tonë kemi bashkëpunim mjaftë të mirë”, shprehet Ademi, duke përmendur Parlamentin, Prokurorinë, Komisionin shtetëror për parandalimin e korrupsionit, me të cilat Enti për Revizion ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi.
Ai thekson se raportet e Entit për Revizion nuk mbeten vetëm në këtë institucion, por ato u jepen edhe institucioneve tjera përderisa vërehen parregullsi.
"Vitin e kaluar deri te Prokuroria e Maqedonisë kemi paraqitur 16 raporte tona nga programi vjetor që e punuam për vitet 2016-2017, që do të thotë se ne në vazhdimësi bashkëpunojmë me institucionet tjera”, bën të ditur Ademi.
Zv/revizori shtetëror shton se kur i lëshojnë raportet e revizionit që përmbajnë gjetjet e kontrollit, shikojnë nëse janë kryer vërejtjet e bëra në gjetjet dhe nëse institucionet kanë marrë masa dhe aktivitete në këtë drejtim, duke shpjeguar më tej se shumë prej institucioneve shtetërore përpiqen të veprojnë në përputhje me gjetjet në raportet e revizionit.
Ademi thotë se shumë më aktuale është duke u bërë revizioni i performancës, krahasuar me revizionin financiar.
“Në Evropë dhe në mbarë botën, revizioni financiar nuk është aq shumë temë aktuale si revizioni i performancës. Ne si Ent shtetëror i revizionit çdo vit shkojmë drejt ngritjes së revizionit të performancës. Dua të përmend se vitin e ardhshëm, me një projekt binjakëzimi kemi tre revizione ndërkombëtare të performancës. Një temë shumë interesante do të jetë dalja e kuadrove nga Maqedonia, të cilën e punojmë së bashku me Entin Shtetëror të Bullgarisë”, deklaron Ademi.
Duke folur për mënyrën se si funksionon institucioni që e drejton, Ademi thotë se Enti i Revizionit është i hapur për institucionet dhe se ata punojnë që institucionet të mos kenë probleme.
“Ndonjëherë ne duam të jemi këshillues dhe miq për të mbrojtur paratë e taksapaguesve dhe për t’i ngritur institucionet në nivel të BE-së”, thekson Ademi.
Duke ndarë idenë si institucionet të jenë më transparente për qytetarët, Ademi thotë se, “Instuticionet duhet të jenë më transparente. Duhet që raportet tona t’i kalojnë në ueb faqet e tyre dhe të lexohen, qytetarët të dinë se ka përmirësim. Kjo është ideja ime për të qenë transparent ndaj qytetarëve”.
Nga ky aspekt, informon Ademi, në fillim të këtij viti është nënshkruar IPA projekti për përforcimin e kapaciteteve të Entit për Revizion, me institucionin nga Bullgaria dhe nga Kroacia. Një nga komponentët më të rëndësishëm, sipas Ademit, është ngritja e bashkëpunimit me Parlamentin, për të cilën thotë se po përparon.
Duke folur për bashkëpunimin me institucionet e larta të revizionit të vendeve të rajonit, ai thekson se me Bullgarinë dhe Kroacinë më lehtë kuptohen dhe duhet t’i ndajnë përvojat e përbashkëta për të arritur nivelin e dëshiruar.
Lidhur me aktivitetet e deritanishme dhe projektet në kontekst rajonal, Ademi thotë se delegacioni i Entit për Revizion i kryesuar nga ai, më 11 dhe 12 tetor ka marrë pjesë në mbledhjen e Komitetit të Kontaktit që u mbajt në Dubrovnik të Kroacisë.
Në takimin e shefave të institucioneve më të larta për revizion të vendeve anëtare të BE-së, morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të vendeve që janë kandidate për anëtarësim në BE, Maqedonia, Turqia, Mali i Zi, Serbia dhe Shqipëria, si dhe përfaqësues të Gjykatës Evropianëve të Revizionit.
Ademi thekson se në takimin në Dubrovnik kanë pasur shumë çështje inovative, ndërsa ndër çështjet më inovative ai e veçoi idenë e homologëve nga Bullgaria, raportet e revizionit të mos jenë vetëm në “versionin e vështirë”, por më lehtë të arrijnë te lexuesi (qytetarët), të jetë i përgatitur video- prezantim për raportet e revizionit. Siç tha ai, Komiteti i Kontaktit i ardhshëm do të mbahet në Poloni.
- Presim bashkëpunim në të gjitha nivelet me Gjykatën turke të revizionit
Në kuadër të Komitetit të Kontaktit, po ashtu është mbajtur trajnim i përbashkët dhe pjesëmarrje e përbashkët në punën e revizionit.
“Për shembull, me Kroacinë dhe Hungarinë pa marrë parasysh se janë pjesë e BE-së, para 2-3 viteve kishim mundësinë e punës së përbashkët, ku kishim revizionin e turizmit. Së pari filluam me Hungarinë, pastaj vazhduam me Hungarinë dhe në fund dolëm me raport të përbashkët me institucionet e larta të revizionit të të dy vendeve. Dua të shpresoj se ne morën pjesë në të gjitha grupet që dalin nga Komiteti i Kontaktit, ne jemi anëtar të EUROSAI-it dhe marrin pjesë në mënyrë aktive”, thotë Ademi.
Në mënyrë që të vazhdojë zhvillimi dhe përmirësimi i bashkëpunimit të vendosur tashmë, ndërsa duke u udhëhequr nga parimet themelore të Organizatës Ndërkombëtare të Instuticioneve të Larta të Revizionit (INTOSAI) dhe Organizatës Evropiane të Instuticioneve Supreme të Revizionit (EUROSAI), Enti Shtetëror për Revizion i Turqisë në tetor të këtij viti nënshkroi një marrëveshje për bashkëpunim të ndërsjellë.
“Tashmë shumë kohë është nënshkruar bashkëpunimi i parë që nga themelimi i institucionit tonë, ndër të parat që u nënshkrua. Presim që të kemi bashkëpunim në të gjitha nivelet me Gjykatën e Revizionit të Turqisë. Presim që revizorët tanë ta vizitojnë Qendrën trajnuese ku të gjithë nga rajoni ishin në atë qendër dhe t’i shohim ato përvoja. Ata janë edhe revizion, por edhe gjykatë, por përvojat do të jenë të mira për të dyja palët e institucioneve”, deklaron Ademi.
- Enti për Revizion i Maqedonisë bashkëpunom me të gjitha vendet e rajonit
Sipas fjalëve të tij, Enti Shtetëror për Revizion i Maqedonisë bashkëpunon me të gjitha vendet e rajonit. Me rastin e shënimit të jubileut, 15 vjet nga themelimi i Zyrës Kombëtare të Revizionit në Kosovë, Ademi mori pjesë në një konferencë tematike që u mbajt në fillim të tetorit në Prishtinë.
“Revizori kryesor në Kosovë, i emëruar kohë më parë është revizori i parë shtetëror që është ngritur nga Kosova, më herët ishin revizorë të huaj shtetëror. Dëshëron bashkëpunim dhe më tepër është i interesuar për softuerin tonë për revizion. (Sistemi elektronik për menaxhim me revizionin - Audit managmenr system - AMS). Në rajon, ndoshta jemi liderë në atë softuerë, vijnë nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Bosnjë e Hercegovina të na shohin si punojmë me këtë softuer që vet e ndërtuam”, thekson Ademi, duke shtuar se vetë e kanë ndërtuar atë softuer, në bashkëpunim dhe sponsorizim të revizorit kryesor shtetëror të Norvegjisë.
