BALLKANI

Tiranë, bashkëbisedim për “Turqizmat e përbashkëta në gjuhët e Ballkanit”

Prof. Asoc. Dr Lindita Xhanari Latifi, gjatë bashkëbisedimit tha se megjithëse Shteti Osman u largua nga Ballkani, gjuhët e Ballkanit nuk i kanë thënë asnjëherë lamtumirë fjalëve turke

Saimir Alija  | 21.06.2018 - Përdıtësım : 22.06.2018
Tiranë, bashkëbisedim për “Turqizmat e përbashkëta në gjuhët e Ballkanit” Olsi Shehu/AA

Tiranë

TIRANË (AA) - Në kuadër të nismës së takimeve me personalitete për tema të ndryshme, Instituti “Yunus Emre” në Tiranë organizoi një bashkëbisedim me temë: “Turqizmat e përbashkëta në gjuhët e Ballkanit”, ku e pranishme ishte edhe studiuesja Prof. Asoc. Dr Lindita Xhanari Latifi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij në hapjen e aktivitetit ku merrnin pjesë pedagogë, studiues dhe studentë, drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, tha se: “Ky është një nga aktivitetet që kam më shumë përzemërt, sepse jemi gjithmonë njësh me njëri-tjetrin dhe jemi mes miqsh”.

Prof. Asoc. Dr Lindita Xhanari Latifi, gjatë bashkëbisedimit tha se megjithëse Shteti Osman u largua nga Ballkani, gjuhët e Ballkanit nuk i kanë thënë asnjëherë lamtumirë fjalëve turke.

“Turqishtja ka qene një nga burimet më të rëndësishme për furnizimin leksikor semantik të gjuhëve të Ballkanit. Kur u mendua të hartohej fjalori i turqizmave të përbashkëta ballkanike, fillimisht u përpoqa të përcaktoj dy objektiva. Së pari të gjeja ndikimet turke dhe e dyta të vëzhgoja në fjalorët aktual statusin aktual të këtyre turqizma në gjuhët e Ballkanit. Nga përzgjedhja në gjuhë të Ballkanit listova gjuhën boshnjake, shqipen, kroatishten, serbishten, bullgarishten, rumanishten, greqishten dhe maqedonishten. Që në vitin 1870 ka filluar studimi i turqizmave në gjuhët e Ballkanit nga turkologë ballkanas ose turkologë evropianë, kryesisht gjermanë dhe austriakë, të cilët njihnin turqishten dhe disa nga gjuhët e Ballkanit”, tha Latifi.

Sipas Latifit, çdo ballkanas sa hap derën e shtëpisë përdor një numër shumë të madh huazimesh turke.

Më tej gjatë fjalës së saj, studiuesja Latifi tha: "Është një fond leksikor interesant, i cili na bën të mendojmë se gjuha turke, osmanishtja në atë kohë sigurisht që nuk ka qenë thjeshtë gjuhë zyrtare, e dokumentacionit zyrtar të institucioneve shtetërore drejtuese, por ka qenë edhe me një lloj statusi si gjuhë e komunikimit të përditshëm. Ne e dimë mirë që në Shtetin Osman popujt ballkanas dhe të tjerë kishin të drejtë të lëviznin brenda perandorisë dhe turqishtja ka qenë një nga gjuhët që lejonte çdo ballkanas që të komunikonte me ballkanas të tjerët. Kjo është arsyeja që statusi i turqishtes në krahasim me statusin e huazimeve të tjera, qoftë arabe dhe perse është i ndryshëm”.

Kujtojmë se Instituti “Yunus Emre” në Tiranë gjatë muajve të fundit po organizon aktivitete në formë bashkëbisedimi për çështje dhe tema të ndryshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın