"Shqipëria përpjekje për oferta të përbashkëta turistike me vendet e rajonit"
Klosi: Kemi filluar përpjekjet për të paraqitur oferta të përbashkëta turistike me Serbinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Kroacinë, që të ofrojmë shumë më tepër mundësinë e zhvillimit të qëndrueshëm turistik të vendit”

Tiranë
TIRANË (AA) - Shqipëria ka filluar përpjekjet për të paraqitur oferta të përbashkëta turistike me vendet e rajonit, tha ministri i Turizmit dhe Mjedisit i Shqipërisë, Blendi Klosi, gjatë fjalës së tij në tryezën e diskutimit për sektorin e turizmit organizuar në Tiranë, raporton Anadolu Agency (AA).
Aktiviteti kishte në fokus diskutimet për mbështetjen nga institucionet për sektorin e turizmit dhe mbështetjen e kompanive që operojnë në këtë sektor.
Në fjalën e tij, ministri Klosi tha se për Qeverinë e Shqipërisë turizmi është një nga ato industri që ka shumë nevojë për më shumë organizim.
“Është një përpjekje e cila duhet të vijë si një kohezion mendimesh, qëndrimesh dhe investimesh nga të gjithë aktorët dhe faktorët që përpiqen të vendosin një përpjekje në këtë ndërmarrje të vështirë. Turizmi është një industri që çdo ditë rrezikohet nga një ditë më e keqe, por çdo ditë mund të jetë një ditë shumë e mirë për të shkuar përpara”, tha Klosi.
Sipas tij, turizmi është nga ato industri, që në Shqipëri prodhon shumë të mira për qytetarët, punësim dhe përfitim ekonomik.
Duke folur për polet e zhvillimit të turizmit, Klosi tha: “Katër janë polet që ne duam të zhvillojmë përsa i përket turizmit, Tirana si kryeqytet, alpet si një destinacion unik i zhvillimit të turizmit, marina e bregdetit Adriatik që për ne ofrohet si një mundësi e artë e zhvillimit të turizmit masiv dhe jugu i ri si një pol që mund të mbajë mbi vete zhvillimin e turizmit elitar.”
“Ne përpjekjen për ta ofruar Shqipërinë jo vetëm si një destinacion evropian turistik, besoj ne do e fitojmë vetëm duke pasur një përpjekje të përbashkët, por dhe një dakordësi me vendet e rajonit. Kemi filluar përpjekjet për të paraqitur oferta të përbashkëta turistike me Serbinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Kroacinë, që të kemi mundësi që të ofrojmë shumë më tepër mundësinë e zhvillimit të qëndrueshëm turistik të vendit”, deklaroi Klosi.
Tryeza e diskutimit me temë "Mbështetja për kompanitë e turizmit në Shqipëri” është organizuar nën kujdesin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) dhe pjesë e saj ishin edhe ambasadorë dhe përfaqësues të organizatave që promovojnë turizmin në Shqipëri.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.