BALLKANI

Shqipëria me mision të ri ushtarak në Afganistan

Pjesë e kontingjentit janë 66 ushtarakë shqiptarë, të cilët do të shërbejnë nën komandën turke në një periudhë gjashtë mujore në kuadër të "Resolute Support Mission" të NATO-s në Afganistan

Fatjon Cuka  | 04.12.2018 - Përdıtësım : 05.12.2018
Shqipëria me mision të ri ushtarak në Afganistan

Tiranë

TIRANË (AA) - Shqipëria vazhdon dërgimin e ushtarakëve të saj me mision në Afganistan, ndërsa misioni i radhës do të jetë nën komandën e Turqisë në kuadrin e "Resolute Support Mission" të NATO-s, raporton Anadolu Agency (AA).

Cremonia në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë për kontingjentin e ri ushtarak me 66 pjesëtarë që do të shërbejë në Afganistan, u organizua me pjesëmarrjen e ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ambasadorit të Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, atasheut ushtarak të Republikës së Turqisë në Shqipëri, kolonel Şakir Cumhur Somer, si dhe familjarëve të ushtarakëve.

“Ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe thellohet në të ardhmen”

Në fjalën e saj përshëndetëse ministrja Olta Xhaçka u shpreh se Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë dhënë një kontribut të pamohueshëm në operacionet paqeruajtëse në disa vende të globit. Ajo tha se vitet e fundit gjeografia e operacioneve është zgjeruar.

Duke iu drejtuar ushtarakëve që do të marrin pjesë në mision, Xhaçka theksoi se "Forcat e Armatosura janë pjesë e organizatës më të fuqishme të sigurisë në botë. Jemi shumë krenarë për ju dhe jemi bashkë me ju në Afganistanin e largët, në Detin Egje, në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, në Mali dhe kudo ku janë misionet dhe operacionet përkrah Aleancës dhe Bashkimit Evropian. Ju i shërbeni stabilitetit, demokracisë dhe paqes. Jeni ambasadorët tanë më të mirë dhe përfaqësoni me dinjitet vlerat më të mira të vendit tonë kudo që shërbeni".

"Pjesëmarrja e trupave tanë në ‘Resolute Support Mission’ ka pasur mbështetjen e vazhdueshme të aleatëve tanë strategjikë. Gjej rastin të shpreh vlerësimin maksimal dhe mirënjohjen e veçantë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë për këtë bashkëpunim të jashtëzakonshëm. Shpreh bindjen se ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe thellohet në të ardhmen dhe veçanërisht në Afganistan nën komandën turke”, tha ministrja Xhaçka.

- ”Turqia në krye të vendeve të NATO-s që ka mbështetur më fuqishëm anëtarësimin e Shqipërisë”

Ambasadori Yörük tha në fjalën e tij se themelet e bashkëpunimit strategjik në fushën ushtarake dhe të mbrojtjes midis Turqisë dhe Shqipërisë janë hedhur thuajse një shekull më parë, në fillim të shekullit të 20-të, me luftën e përbashkët kundër shteteve imperialiste të kohës.

"Jemi të nderuar dhe krenarë që po marrim pjesë në përcjelljen e njësisë së nëntë shqiptare që do të shërbejë në Komandën e Aeroportit të Kabulit nën komandën e Turqisë në kuadrin e ‘Resolute Support Mission’ të NATO-s në Afganistan. Bashkëpunimi ynë në fushën ushtarake dhe atë të mbrojtjes përbën një ndër shembujt më konkretë të bashkëpunimit në nivel shumë të mirë në çdo fushë midis Turqisë dhe Shqipërisë", tha ambasadori turk.

Ai shtoi se edhe në ditët e sotme po vazhdojnë të zhvillohen bashkëpunimi dypalësh ushtarak dhe financiar, programet e trajnimit afatshkurtër dhe afatgjatë dhe marrëdhëniet Turqi-Shqipëri në kuadrin e NATO-s. "Që nga viti 2003 njësi elitë shqiptare kanë shërbyer për 20 herë në kuadrin e Njësive turke në ISAF në Afganistan", u shpreh ambasador Yörük.

"Edhe gjatë periudhës së kalimit të Shqipërisë nga komunizmi në demokraci, Turqia ka qenë në krye të vendeve të NATO-s që ka mbështetur më fuqishëm anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ne jemi të lumtur që marrëdhënieve miqësore dhe vëllazërore që burojnë nga historia, iu shtua edhe marrëdhënia jonë e partneritetit që ka fituar një përmasë të re që prej vitit 2009 nën ombrellën e NATO-s", theksoi ambasadori i Turqisë në Tiranë.

Pjesë e kontingjentit janë 66 ushtarakë shqiptarë, të cilët do të shërbejnë nën komandën turke në një periudhë gjashtë mujore në kuadër të "Resolute Support Mission" të NATO-s në Afganistan.

Ndërkohë sot shënohet edhe 106-vjetori i krijimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın