Shqipëri, qytetarët do të tërheqin disa dokumente online
"Vërtetimet e pensionit dhe kartën e shëndetit qytetarët mund ti tërheqin duke filluar nga kjo javë në portalin e-albania."
Tiranë
TIRANË (AA) - Këshilli i Ministrave i Shqipërisë në mbledhjen e sotme ka marrë disa vendime që lidhen me tërheqjen e dokumenteve nga qytetarët në mënyrë elektronike, si dhe për procesin e zbatimit të reformës në drejtësi, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për mediat, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, u shpreh se janë shtuar dokumentet që qytetarët mund t'i tërheqin online.
"Për të gjithë ata qytetarë që duhet të marrin dokumente në zyrat e administratës këtë javë ne shtojmë listën e këtyre dokumenteve që mund të tërhiqen online në portalin e-albania, si nga qytetarët edhe nga institucionet publike që u nevojiten ato. Vërtetimet e pensionit dhe kartën e shëndetit qytetarët mund ti tërheqin duke filluar nga kjo javë në portalin e-albania. Më e rëndësishmja është asnjë institucion shtetëror nuk do tua kërkojë më këto dokumente qytetarëve për nevoja të procedurave të tyre duke u kursyer sorollatjet e panevojshme të gjithë atyre që marrin këto shërbime", theksoi Manastirliu.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në një deklaratë u shpreh se qeveria mori vendimin për vënien në dispozicion të mjediseve të punës për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi.
"Sot qeveria bëri një hap tjetër të rëndësishëm, miratoi vendimin për vënien në dispozicion të ambienteve për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, duke mundësuar kështu ofrimin e kushteve logjistike dhe infrastrukturore të nevojshme për funksionimin e tij. Me këto dy vendime qeveria shqiptare i jep mbështetjen e plotë infrastrukturore dhe logjistike për organet e vetingut", deklaroi Gjonaj.
