Shkup, prezantohet origjina e panjohur e himnit të alfabetit shqip
Profesori amerikan David Hoselflog, nga ana e tij tha se nuk ka dëgjuar një rast tjetër në botë sikur ky, që një komb të ketë himn, që për temë ka alfabetin

Shkup
SHKUP (AA) - Instituti i Trashigimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni, me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit Shqip dhe përvjetorit të themelimit të Institutit, prezantoi gjetjet për origjinën e melodisë së himnit të alfabetit shqip, të cilin e ka shkruar Parashqevi Qiriazi në vitin 1909, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtori i ITKSHSH-së, Skender Asani, në fjalimin e tij theksoi se shënimi i 22 Nëntorit nuk është vetëm një kremtim linguistik dhe një festë kombëatre, pasi është një momument i cili përkujton themelimin e Institutit për Trashigimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, një datë e cila bën evaluimin e punës kërkimore të Institutit për periudhën nga një përvjetor tek tjetri.
“Kur themi se këtë vit po e përmbyllim me 36 botime, aq sa ka shkronja alfabeti, që i bie nga një libër në çdo dhjetë ditë, disa konferenca shkencore dhe një varg vizitash dhe aktivitetesh, duke bërë që edhe jeta e institutit tonë është bërë pjesë e festave shqiptare të nëntorit”, tha Asani.
Ai tha se veçori e kremtës së sivjemë është shpalosja e një momenti të panjohur ndër shqiptarët të cilën e sjell profesori amerikan David Hoselflog, që ka të bëjë me një risi të himnit të alfabetit, melodia për të cilën është marrë nga studentët e Universitetit "Yale" në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilën Parashqevi Qiriazi me gjasë e ka dëgjuar në kolegjin amerikan protestant në Stamboll, ku ajo diplomoi në vitin 1904.
Profesori amerikan Hoselflog, nga ana e tij tha se nuk ka dëgjuar një rast tjetër në botë sikur ky, që një komb të ketë himn, që për temë ka alfabetin.
Ai tha se deri më tani është hamendësuar se Parashqevi mund ta ketë marrë melodinë e himnit të alfabetit nga një marsh nga revolucioni francez, gjë e cila nuk është argumentuar.
Në broshurën e publikuar, Hoselflog shkruan se në fillim të shekullit 20-të, ndeshjet e futbollit amerikan midis kolegjeve rivale Yale dhe Harvard ishin shumë të forta, për çka dhe ishte kompozuar një këngë frymëzuese nga tifozët.
Ai thotë se në vitin 1904, motrat Qiriazi ishin diplomuar në një kolegj amerikan protestant për vajza në Stamboll, dhe me gjasë pedagogët amerikanë e kanë sjellur këngën e kolegjit Yale për të frymëzuar studentet, për çka Parashqevi e kishte përdorur për himnin e saj, për të frymëzuar shqiptarët kundër trysnisë se xhonturqëve të cilët kundërshtonin alfabetin e ri.
Profesori amerikan rrëfeu edhe momentin e një rastësie, që kishte bërë të zbulojë origjinën e himnit, që lidhet me një vonesë të tij në një aeroport në SHBA dhe përpjekjet për të kapur fluturimin.
“Këkoja portën për dalje nga aeroporti dhe në secilën ka nga një ekran i cili shfaq lajme ose ndeshje sporti, dhe duke ecur dëgjova një muzikë e cila më tingëlloi e njohur por që nuk e lidha dot”, tha ai, pas çka të pranishmëve u lëshoi një sekuencë filmike nga ndeshja sportive ku dëgjohej himni i Universitetit Yale, i ngjashëm me atë të himnit të alfabetit.
“Pas një ore, në avion aty mbi re, m'u kujtua se në fakt ishte himni i alfabetit atë që dëgjova”, rrëfeu Hoselflog mbi zbulimin e origjinës së melodisë së himnit të alfabetit të shkruar në vitin 1909.
Me rastin e shënimit të ditës së ITKSHSH-së, në godinën e Institutit, ku më parë ka qenë e vendosur ambasada amerikane në Maqedoni, u zbulua një pllakë e cila rrëfen për miqësinë shqiptaro-amerikane.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.