BALLKANI

"Shkodra ka një vend të veçantë në marrëdhëniet Turqi-Shqipëri"

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, është takuar me kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ku në fokus të bisedës së tyre ishte bashkëpunimi për projekte të ndryshme dhe mbështetja e ofruar nga institucionet turke

Fatjon Cuka  | 14.12.2018 - Përdıtësım : 15.12.2018
"Shkodra ka një vend të veçantë në marrëdhëniet Turqi-Shqipëri"

Shkodër

SHKODËR (AA) - Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, gjatë një vizite në qytetin e Shkodrës deklaroi se ky qytet ka një vend të veçantë në marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Një delegacion i Ambasadës së Turqisë në Tiranë, i kryesuar nga ambasadori Yörük, po zhvillon një vizitë në qytetin e Shkodrës, duke realizuar takime me drejtues të pushtetit vendor dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.

Ambasadori Yörük është takuar me kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ndërsa në fokus të bisedës së tyre ishte bashkëpunimi për projekte të ndryshme dhe mbështetja e ofruar nga institucionet turke.

Ambasadori turk gjatë takimit të realizuar në selinë e Bashkisë së Shkodrës tha se midis dy vendeve dhe popujve në nivelin më të lartë ka marrëdhënie shumë të mira dhe shumë miqësore

“Synimi gjatë këtyre vizitave në qytete është që ky nivel i lartë në qendër midis dy vendeve të shtrihet edhe mes autoriteteve lokale. Sigurisht që Shkodra është e rëndësishme për Turqinë, ashtu si gjithë qytetet e tjera të Shqipërisë, por në aspektin historik dhe kulturor, Shkodra zë një vend të veçantë në marrëdhëniet tona. Krahas projekteve të TIKA-s në Shqipëri, ka filluar një projekt i madh, që është projekti për shndërrimin e Xhamisë së Plumbit në qendër të vizitueshme. Unë shpresoj që brenda një kohe të afërt të fillojë puna në realizimin në terren të këtij projekti”, tha ambasadori Yörük.

Ambasadori turk tha se me “direktivën e presidentit tonë, Ministria e Bujqësisë dhe Pylltarisë ka filluar punimet e nevojshme” dhe se do të hedhin hapa për të marrë masat e nevojshme në mënyrë që populli i Shkodrës të ndikohet sa më pak nga përmbytjet dhe se për këtë çështje po punojnë me seriozitet.

Ndërsa kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, gjatë takimit theksoi se gjatë këtij viti kanë patur mundësi për bashkëpunim shumë të mirë me institucionet turke në Shqipëri dhe shtoi se “shpreson që përsëri do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim”.

“Ne kemi nisur një projekt me TIKA-n(Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim) që shpresoj të vazhdojë për ndërtimin e një qendre multifunksionale të shërbimeve komunitare. Nëse e realizojmë, ajo do të ishte një nga veprat më të mira të bashkëpunimit Turqi-Shqipëri për komunitetin”, tha Ademi.

Ambasadori Yörük vizitoi edhe Medresenë Haxhi Sheh Shamia në këtë qytet, ku u takua me drejtuesit e saj dhe nxënësit, ndërsa u përgatit edhe një program festiv.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın