"Qeveria e Kosovës ka mundësi për t'i përkrahur ndërmarrësit dhe idetë e reja"
Haradinaj tha se duhet të ecet me rend dhe ligj, sipas tij, për të ndjekur trendet botërore të ndërmarrësise

Prishtinë
PRISHTINË (AA) – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në hapjen e “Javës Globale të Ndërmarrësisë 2017”, e cila për herë të parë mbahet nën patronazhin e kryeministrit të Kosovës, tha se “Qeveria ka plot mundësi për t'i përkrahur ndërmarrësit dhe idetë e reja”, raporton Anadolu Agency (AA).
Haradinaj tha se duhet të ecet me rend dhe ligj për të ndjekur trendet botërore të ndërmarrësisë. Sipas kryeministrit Haradinaj njerëzit në Kosovë kanë ide dhe vizion, por ka gjëra që pengojnë ose ndihmojnë shpirtin e ndërmarrësisë, duke theksuar se mungesa e shtetit ligjor mund ta pengojë shpirtin ndërmarrësisë.
“Qeveria e vendit ka plot mundësi, ka plot situata kur mund të jetë me ju. Detyra jonë e përbashkët do të jetë se në shpirtin e juaj ndërmarrës, për idetë tuaja në mënyrën si ju e keni gjetur një nisje, mundësisht të jemi edhe ne me ju në një moment të caktuar kur ai është i nevojshëm”, u shpreh Haradinaj.
Ndërsa, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, duke theksuar se zhvillimi ekonomik i Kosovës është i kufizuar për shkak të korrupsionit, tha se është përgjegjësi e qytetarëve që të denoncojnë korrupsionin. Ai shtoi se komuniteti i biznesit ka një rol të madh për të luajtur në nxitjen e motivit dhe talentit të kosovarëve për ndërmarrësi në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.
Kurse, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë i Republikës së Kosovës, Besim Beqaj, tha se shteti nuk duhet t'i pengojë ndërmarrësit dhe duhet t'ju jap instrumentet e nevojshme që ata të zhvillojnë idetë e tyre vetë. Ai tha se me fondin për inovacion dhe ndërmarrësi do t'i japin shansin të gjithë njerëzve që kanë ide edhe pse ata mund të dështojnë.
“Ne si ministri kemi krijuar një fond dhe është dorëzuar në kuvend buxheti për vitin 2018. Ministria do të ketë 10 milion euro mjete financiare dhe unë pres që donatorët do të na bashkëngjitën. Janë mbi 9.5 milion euro nga ato 10 milion që do të shkojnë në përkrahje të drejtpërdrejtë për inovacione dhe përkrahje të drejtpërdrejt të ndërmarrjeve. Do t'i themelojmë katër qendra të inovacionit dhe të ndërmarrësisë dhe këto do të jenë në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë dhe Pejë”, tha Beqaj.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.