Presidenti Nishani takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës
Nishani gjatë takimit theksoi se marrëdhëniet mes dy shteteve duhet të forcohen e zgjerohen në të gjitha fushat e bashkëpunimit, pasi ato, sipas tij, janë thelbësore për të ardhmen e kombit shqiptar

Tiranë
TIRANË (AA) - Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka realizuar sot një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se Nishani gjatë takimit theksoi se marrëdhëniet mes dy shteteve duhet të forcohen e zgjerohen në të gjitha fushat e bashkëpunimit, pasi ato, sipas tij, janë thelbësore për të ardhmen e kombit shqiptar, por edhe për stabilitetin dhe përparimin e rajonit.
"Kreu i Shtetit vlerësoi dhe përshëndeti të gjitha arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe funksional të Kosovës, si dhe kontributin e rëndësishëm të dhënë në funksion të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të rajonit. Presidenti Nishani e siguroi Veselin për mbështetjen e pakursyer të institucioneve shqiptare për të mundësuar në një kohë sa më të shpejtë anëtarësimin e Kosovës në organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare dhe të avancimit të agjendës evropiane, krahas vendeve të tjera të rajonit", thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se Veseli e ka falënderuar Presidentin Nishani "për përkrahjen e dhënë për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët në rajon".
Kryetari i Kuvendit të Kosovës dje u takua me homologun e tij, Ilir Meta dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.