BALLKANI

"Popujt e Ballkanit duhet të krijojnë lidhje më të vërteta me të kaluarën osmane"

"Është e nevojshme që popujt e Ballkanit të krijojnë lidhje në një mënyrë më të vërtetë me të kaluarën osmane dhe në këtë mënyrë të shpaguajnë veten", tha Abdula

Furkan Abdula  | 17.01.2019 - Përdıtësım : 17.01.2019
"Popujt e Ballkanit duhet të krijojnë lidhje më të vërteta me të kaluarën osmane" ( Furkan Abdula - Anadolu Agency )

Shkup

FURKAN ABDULA 

SHKUP (AA) - Kryetari i Shoqatës për Edukim dhe Mendim "Fettah Efendi", Sevba Abdula, duke folur për rëndësinë e projektit "Trashëgimia e Përbashkët Osmane" që zhvillohet në bashkëpunim me Presidencën e Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB) nga Turqia, tha se është e nevojshme që popujt e Ballkanit të krijojnë lidhje në një mënyrë më të vërtetë me të kaluarën osmane.

Duke folur për Anadolu Agency (AA) në lidhje me projektin dhe aktivitetet e shoqatës që drejton, Abdula tha se "Fettah Efendi" tashmë tre vite zhvillon aktivitete veçanërisht në fushën e arsimit dhe studimeve në Shkup.

"Kemi aktivitetet arsimore universitare, seminare dhe projekte në kuadër të Akademisë Shkupi. Ne preferuam si emër të shoqatës Fettah Efendiun si njëri nga poetët dhe mendimtarët e rëndësishëm të Shkupit dhe në këtë mënyrë deshëm të nxjerrim në pah praninë tonë të gjatë në këtë rajon", shprehet Abdula.

Sipas Abdula, shoqata synon të prodhojë projekte që do të mundësojnë një arsimim jashtëuniversitar dhe një jetë më të mirë arsimore për studentët, ndërsa krahas kësaj, synohen edhe punime të nivelit master, doktoratës dhe post-doktoratës dhe që shoqata të bëhet një institucion që do të ketë primatin në studimet veçanërisht në lidhje me Ballkanin.

Duke vendosur në qendër shkencat shoqërore, tashmë katër semestra janë realizuar aktivitete të ndryshme, siç janë seminaret dhe debate të librave, tha Abdula.

"Ndërkaq, këtë semestër kemi projektin 'Trashëgimia e Përbashkët Osmane' të realizuar nga shoqata jonë, në të cilin partnerë janë shumë institucione. Në të njëjtën mënyrë, ky projekt mbështetet nga YTB në kuadër të Shkollës Rinore Ballkanike", theksoi kryetari i shoqatës "Fettah Efendi"

"Popujt e Ballkanit duhet të krijojnë lidhje më të vërteta me të kaluarën osmane"

Synimi i përgjithshëm i projektit "Trashëgimia e Përbashkët Osmane", shprehet Abdula, është t'i jepet një kuptim më i mirë historisë osmane dhe të shtohen informacionet në lidhje me historinë osmane në një mënyrë objektive dhe faktike.

"Në këtë aspekt, gjatë shekullit të njëzetë ka një historiografi dhe mësim më negativ të historisë osmane të Ballkanit. Në këtë drejtim, ne mendojmë se është e nevojshme që popujt e Ballkanit të krijojnë lidhje në një mënyrë më të vërtetë me të kaluarën osmane dhe në këtë mënyrë të shpaguajnë veten", shton Abdula.

E kaluara dhe historia osmane nuk është ndonjë periudhë e cila mund të shpërfillet nga popujt e rajonit, thotë më tej Abdula.

"Sipas nesh, nuk është një qasje e duhur që (historia osmane) të lexohet përmes rebelimeve, heroizmave dhe luftrave gjatë një periudhe 500-vjeçare. Mendojmë se do të ishte më e duhur sikur historia osmane të shikohej nga këndvështrimi i trashëgimisë së përbashkët në këtë rajon, përmes historisë së arkitekturës, kulturës, mendimit dhe artit dhe se në të ardhmen do të nxjerrim shembuj edhe më kuptimplotë. Projektin e zhvilluam me këtë botëkuptim", thotë Abdula.

Ai tregon se grup i synuar i projektit janë studentët universitarë në Maqedoni. "Ne do të përpiqemi t'i inkuadrojmë të gjithë, studentët shqiptarë, maqedonas dhe turq", shton Abdula.

Për shkak se në seminaret që do të mbahen në kuadër të projektit do të ketë ligjërues nga Turqia, në këtë aktivitet janë mundësuar edhe përkthime simultane për studentët shqiptarë që do të jenë të pranishëm, njoftoi Abdula.

"Ishte shumë me rëndësi për ne që ky projekt u mbështet nga YTB dhe do të marrë pjesë edhe Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik. Mësimi i gjuhës osmane nga ana e studentëve do të jetë një iniciativë shumë e rëndësishme sipas meje për studimet historike dhe rinxjerrjen në dritë të dokumenteve shumë të rëndësishme në Maqedoni", vlerëson Abdula.

Përveç projektit "Trashëgimia e Përbashkët Osmane", Abdula tha se shoqata "Fettah Efendi" organizon edhe projekte të tjera.

"Deri më tani janë realizuar mbi 20 seminare, afërsisht 20 analiza librash, kanë aplikuar afër 500 studentë, ndërsa rreth 300 kanë përfituar nga këto aktivitete tona", shprehet ai, duke shtuar se projektet e shoqatës realizohen në dy gjuhë, turke dhe shqipe.

"Projekti 'Trashëgimia e Përbashkët Osmane' do të vazhdojë përgjatë një viti. Ne do të fokusohemi edhe më shumë posaçërisht në aktivitetet akademike në lidhje me Ballkanin. Raportet analitike më të thella të strukturës aktuale shoqërore, politike dhe ekonomike në Ballkan dhe analizat do të jenë aktivitete që u japim rëndësi të madhe në periudhën në vijim", tha për AA Sevba Abdula.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.