Përfundon numërimi i votave, KQZ publikon rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri
Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri, në një deklarate për mediat, ka publikuar të dhënat rreth pjesëmarrjes në zgjedhje, rezultate e partive politike, etj.

Tiranë
TIRANË (AA) – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Shqipërisë (KQZ), ka konfirmuar përfundimin e procesit të numërimit të votave në gjithë territorin e vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri, në një deklarate për mediat, ka publikuar të dhënat rreth pjesëmarrjes në zgjedhje, rezultate e partive politike, etj.
Në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, kanë marrë pjesë në votim 1.613.087 zgjedhës, ose 46,72 për qind e numrit të përgjithshëm, ndërsa numri i përgjithshëm i votave të vlefshme ka qenë 1.580.778.
Sipas KQZ-së, Partia Socialiste ka siguruar 763.999 vota ose 48,33 për qind e numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme, e kthyer në 74 mandate.
Partia Demokratike 455.481 vota ose 28,81përiqnd që i takojnë 43 mandate, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim 225.678 vota ose 14,28 për qind, duke siguruar 19 mandate.
4. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka marrë 75.938 vota ose 4.8 për qind, me 3 mandate dhe Partia Social Demokrate 14.988 vota ose 0,95 për qind, duke siguruar vetëm 1 mandat.
Partitë e tjera, të cilat nuk kanë kaluar pragun elektoral kanë marrë në totalin e tyre 44.661 vota, ose 2,8 për qind të votave të vlefshme.
Kujtojmë se më 25 qershor në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare, ku morën pjesë 18 parti politike. Qytetarët me të drejtë vote kanë votuar në 5.362 qendra votimi, për zgjedhjen e 140 deputetëve për legjislaturën e re të Kuvendit të Shqipërisë. Zgjedhjet parlamentare janë vëzhguar nga 5351 vëzhgues, nga të cilët 896 nga misionet vëzhguese ndërkombëtare.
Kryetari i Partisë Demokratike vendos ngrirjen e funksioneve drejtuese
Lideri i opozitës dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat, ka bërë të ditur se ka marrë vendimin për të ngrirë të gjitha funksionet e tij organizative si kryetar i PD-së.
“Me efekt të menjëhershëm kam vendosur të ngrij të gjitha funksionet e mia organizative si kryetar i Partisë Demokratike dhe t’ua delegoj ato dy nënkryetarëve dhe sekretarit të përgjithshëm për të organizuar me fuqi të plotë vendimmarrëse garën për kryetar të PD-së sipas parimit një anëtar një votë”, theksoi Basha.
Ai ka shtuar se merr të gjitha përgjegjësitë për rezultatin. Kujtojmë se partia më e madhe e opozitës në këtë zgjedhje siguroi vetëm 43 mandatë në legjislaturën e re me 140 deputete gjithsej.