Marrëveshje bashkëpunimi mes KQZ-së dhe AMA-s për zgjedhjet
Marrëveshja në fjalë u nënshkrua nga kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba dhe kreu i Autoritetit të Mediave Audiovizive, Gentian Sala.

Tiranë
TIRANË (AA) - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit 2017, raporton Anadolu Agency (AA).
Kjo marrëveshje është nënshkruar në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe ka synim angazhimin e palëve në përputhje me detyrimet përkatëse ligjore për nevojat e monitorimit të fushatës zgjedhore në media, konkretisht në radion dhe televizionin publik dhe privat.
Marrëveshja në fjalë u nënshkrua nga kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba dhe kreu i Autoritetit të Mediave Audiovizive, Gentian Sala.
Biba para nënshkrimit u shpreh se mes KQZ-së dhe AMA-s ka patur vazhdimisht një marrëdhënie të mirë.
Ndërsa Sala u shpreh se "Ka një bashkëpunim të mirë përgjatë viteve midis dy institucioneve. Ka një risi këtë vit, që studio e monitorimit të shtojë kapacitetet e monitorimit të televizoneve dhe radiove gjatë fushatës zgjedhore.
Kujtojmë se për monitorimin e fushatës zgjedhore funksionon Bordi i Monitorimit të Medias.
Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Shqipëri do të mbahen më 18 qershor të këtij viti.