Maqedonia, Italia dhe Sllovenia, projekt të përbashkët për të dhënat statistikore
Nicola Bertolini, bëri të ditur se zbatimi i projektit është paraparë të përfundojë në maj të vitit 2018, ndërsa për të janë siguruar mjete financiare rreth 740 mijë euro

Shkup
SHKUP (AA) – Enti Shtetëror i Statistikës i Republikës së Maqedonisë në partneritet me Institutin Italian Kombëtar për Statistikë dhe Entin Shtetëror për Statistikë të Sllovenisë, nga dita e sotme fillon zbatimin e Twinning projektit 19 mujor të financuar nga Bashkimi Evropian (BE) për rritje të kapaciteteve për sigurim të të dhënave statistikore gjithëpërfshirëse dhe krahasuese të cilat janë në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare, raporton Anadolu Agency (AA).
Shef i sektorit operativ të Delegacionit të BE-së në Shkup, Nicola Bertolini, bëri të ditur se zbatimi i projektit është paraparë të përfundojë në maj të vitit 2018, ndërsa për të janë siguruar rreth 740 mijë euro përmes Instrumentit për Ndihmë Parainkuadruese të BE-së.
“Ky projekt bazohet në rolin e rëndësishëm të statistikave zyrtare në procesin e inkuadrimit në Bashkimin Evropian. Projekti synon rritjen e kapaciteteve të enteve shtetërore të statistikave në përgatitjen e të dhënave të pavarura dhe të krahasueshme në pajtim me standardet ndërkombëtare”, u shpreh Bertolini.
Ndërkaq, drejtoresha ekzekutive e Entit Shtetëror të Statistikës së Maqedonisë, Lidija Kostovska, theksoi se përmirësimi i kësaj fushe përmes Twinning projektit është një nga fushat më të rëndësishme, si dhe parakusht në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë.
“Me realizimin e këtij projekti i cili kontribuon edhe në zbatimin e programit kombëtar të legjislacionit evropian, ne do të jemi një hap më afër në procesin e harmonizimit të legjislacionit evropian”, u shpreh Kostovska.
Në prezantimin e fillimit të zbatimit të Twinning projektit, të pranishëm ishin edhe ambasadori italian në Shkup, Carlo Romeo, si dhe zv/ambasadorja sllovene në Shkup, Mira Lesjak, të cilët theksuan se ndërtimi i kapaciteteve të Entit Shtetëror të Statistikave sipas standardeve ndërkombëtare luan një rol të rëndësishëm në përforcimin dhe promovimin e bashkëpunimit mes tre vendeve të përfshira në këtë projekt.
Nga projekti “Mbështetje e Entit Shtetëror të Statistikës për përmirësimin e kapaciteteve dhe avancimin e harmonizimit me standardet e BE-së” pritet të rritet distribuimin e informatave cilësore statistikore dhe përmirësimi i procesit të miratimit të vendimeve nga ana e institucioneve qeveritare, kompanive dhe qytetarëve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.