BALLKANI

Kosovë, prezantohet plani "Drejtësia 2020" për gjyqësor më efikas

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi tha se qëllimi i këtij plani është që sistemi i drejtësisë të Kosovës të bëhet më efikas dhe më i dobishëm

Zülfiya Yakup  | 25.09.2018 - Përdıtësım : 26.09.2018
Kosovë, prezantohet plani "Drejtësia 2020" për gjyqësor më efikas ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

PRISHTINË (AA) – Viti 2020 do të jetë viti kur gjyqësori kosovar do të funksionojë plotësisht në mënyrë efikase dhe në shërbim të qytetarëve, u tha sot në prezantimin e planit “Drejtësia 2020”, të cilin bashkarisht e hartuan Ministria e Drejtësisë së Kosovës, Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri në një konferencë për media në të cilën morën pjesë edhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare të Kosovës, theksoi se planin e përbashkët të përpiluar përmes respektimit të pavarësisë, neutralitetit dhe ndarjes së pushteteve, në një periudhë prej dy vitesh do të zgjidhen të gjitha sfidat me të cilat përballet gjyqësori kosovar. Tahiri tha se janë identifikuar masat dhe temat afatshkurtra në forcimin e shtettit juridik.

“Drejtësia 2020 brenda dy vitesh do t’u japë fund lëndëve të vjetra, do t’i japë fund papërgjegjësisë së sistemit kudo që shfaqet ai. Do t’i plotësojë deri në fund të gjitha kapacitetet njerëzore që janë të nevojshme brenda sistemit, qofshin me gjyqtarë, me prokurorë, me bashkëpunëtorë profesionalë. Do të mundësojë një profilizim të qartë dhe të besueshëm të gjyqtarëve dhe të prokurorëve”, tha Tahiri.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi tha se qëllimi i këtij plani është që sistemi i drejtësisë të Kosovës të bëhet më efikas dhe më i dobishëm ndërsa kryetari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, falënderoi partnerët ndërkombëtarë për ndihmën në forcimin e gjyqësorit.

Shefja e EULEX-it Alexandra Papadopoulou përshëndeti planin "Drejtësia 2020", të cilën institucionet e Kosovës e bënë në mënyrë të pavarur.

"Drejtësia 2020 është një mekanizëm i bazuar në mënyrë proaktive me nismën e autoriteteve të Kosovës dhe ky është një aspekt shumë i rëndësishëm. Dua ta theksoj këtë aspekt lokal sepse ndryshimet reale mund të arrihen vetëm nëpërmjet tij”, tha ajo.

Ambasadori në largim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie e vlerësoi të guximshëm planin “Drejtësia 2020”, duke theksuar se nevojitet përkushtim me qëllim që ndryshimet që janë të domosdoshme për një të ardhme më të mirë të Kosovës të realizohen.

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell tha se Kosova nuk ka kohë për të humbur, por edhe për të mos u ngutur.

“Qytetarët e Kosovës meritojnë drejtësi të plotë, edhe ne si miq të Kosovës kemi nevojë për një partner të sinqertë këtu në luftën kundër krimit të organizuar. Por, gjithashtu kjo është një punë afatgjate, është punë e gjeneratave. Është shumë e rëndësishme që të ruhet një vizion afatgjatë edhe që prioritetet më të rëndësishme të zbatohen”, porositi ambasadori britanik.





Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın