BALLKANI

Kosovë, ndahen çmimet në fushën e kinematografisë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës ka ndarë çmimin për veprën jetësore "Bekim Fehmiu", regjisorit Besim Sahatçiu post-mortem, ndërsa çmimi vjetor për kinematografi për vitin 2017 i takoi regjisores Blerta Zeqiri

Zülfiya Yakup  | 27.08.2018 - Përdıtësım : 28.08.2018
Kosovë, ndahen çmimet në fushën e kinematografisë ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës ka ndarë çmimin për veprën jetësore "Bekim Fehmiu", regjisorit Besim Sahatçiu post-mortem, ndërsa çmimi vjetor për kinematografi për vitin 2017 i takoi regjisores Blerta Zeqiri, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia e ndarjes së çmimit u mbajt në kabinetin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili tha se ndarja e çmimit në fushën e kinematografisë dhe fushat tjera të kulturës ka për qëllim motivimin e krijimtarisë kreative. Gashi shprehu bindjen se juria në mënyrë profesionale ka bërë punën e saj gjatë përzgjedhjes së fituesit të çmimit në fushën e kinematografisë, duke shtuar se Besim Sahatçiu ishte inspirim për të gjithë regjisorët e sotëm.

"Në emër të ministrisë nga zemra falënderoj për punën dhe kontributin e tij, regjisorin e ndjerë Sahatçiu, si dhe Blertën e cila është një ikonë e re e kinematografisë sonë. Ajo ka bërë një punë të shkëlqyer dhe nuk është i vogël numri i filmave që ka marrë pjesë në mbi 20 festivale dhe ka fituar shumë mirënjohje dhe çmime", ka thënë Gashi.

Ai rikujtoi se Ministria e Kulturës për shkak të rezultateve të mira ka rritur buxhetin me 100 për qind për kinematografinë kosovare.

Bashkëshortja e regjisorit të ndjerë Besim Sahatçiu, Besa u falënderua për çmimin. "Shumë faleminderit, mua si gruaja e tij më është dukur sikur ai është lënë disi anash, por vijnë ditët kur përsëri del në shesh puna e tij", ka thënë Besa Sahatçiu.

Blerta Zeqiri tha se është e lumtur për vlerësimin e punës së saj dhe njëkohësisht ka vlerësuar Ministrinë e Kulturës dhe Qendrën për Kinematografi të Kosovës.

"Pesë vite më parë kishim ëndërr të paraqitemi në festivalet e filimit të kategorisë A. Nëse një film shfaqej, ishte gëzim i madh, kurse tash jo një, por ka shumë filma. Tani kemi konkurrencë edhe mes nesh dhe kjo është kënaqësi dhe motivim për ne që të punojmë edhe më mirë dhe më shumë në të ardhmen", ka thënë Zeqiri.

Ajo shtoi se është e lumtur për rritjen e buxhetit për kinematografinë dhe që përfundimisht institucionet e Kosovës vlerësojnë rëndësinë që ka filmi për vendin.

Në shpjegimin e jurisë, thuhet se regjisori Besim Sahatçiu në vitet e '70-ta dhe të '80-ta ishte themeluesi i kinematografisë së Kosovës dhe kontributi i tij është i madh. Nga veprat e tij u revokua filmi dokumentar "117", si dhe seriali dhe filmi televiziv "Era dhe Lisi", që shënuan fillimin dhe konsolidimin e kinematografisë së Kosovës në vitet e '70-ta.

Ndërsa Blerta Zeqiri, e cila që nga fillimi i karrierës së saj ka regjistruar suksese të njëpasnjëshme dhe ka fituar shumë çmime ndërkombëtare, çmimin vjetor e mori për filmin "Martesa" me të cilin ka marrë pjesë me sukses në mbi 20 festivale dhe ka fituar shumë çmime, përfshirë çmimin special të jurisë "FIPRESCI" në festivalin e kategorisë A "Black Nights Film Festival" në Talin të Estonisë.

Çmimi për veprën jetësore në fushën e kinematografisë është 5.000 euro ndërsa çmimi vjetor shpërblehet me 2.500 euro.







Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.