Kosovë, Ministria e Drejtësisë prezanton fillimin e punës së hartimit të Kodit Civil
Procesi i hartimit të Kodit Civil do të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës, tha ministrja Hoxha

Prishtinë
PRISHTINË (AA) - Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, sot prezantoi “Fillimin e punës së hartimit të Kodit Civil” i cili luan rol të rëndësishëm në zhvillimin e një sistemi funskional të marrëdhënieve të detyrimeve, të drejtave sendore, pronësisë si dhe të drejtës familjare dhe trashëgimore, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Dhurata Hoxha, gjatë prezantimit të detajeve të punës së MD-së në hartimin e Kodit Civil tha se si referencë përmbajtja e kodit do të përputhet me rrethanat aktuale të vendit dhe materialet e punës që do të jenë publike në ueb-faqen e MD-së.
Ajo theksoi se pas shqyrtimit të kujdesshëm MD ka vendosur që Kodi Civil të harmonizohet sipas modelit gjerman.
“Modeli gjerman është rrjedhojë e ngjashmërisë në qasjen ligjore, metodologjinë dhe traditën ligjore dhe se modeli gjerman i përshtatet më së miri nevojave të Kosovës. Duke e ndjekur këtë model besojmë se do të sigurojmë përputhshmëri me standardet dhe praktikat më të mira evropiane”, tha Hoxha.
Ministrja Hoxha po ashtu nënvizoi se procesi i hartimit të Kodit Civil do të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës dhe u bëri thirrje të gjithë aktorëve, grupeve të interesit dhe organizatave të shoqërisë civile që të jenë pjesë e këtij hartimi qoftë me komente, sugjerime apo rekomandime.
Ndërsa, Prof. Dr. Izet Morina, i cili është njëri nga përfaqësuesit të cilët janë duke e hartuar këtë kod, tha se parakushti elementar për hartimin e Kodit Civil është siguria e paqes shoqërore dhe rritja e mirëqenies sociale.
“Nuk do të jetë një vepër madhështore vetëm nga juristët dhe për juristët por një udhërrëfyes për qytetarët që t'i njohin më mirë të drejtat e tyre subjektive private”, tha ai.
Morina bëri të ditur se MD ka formuar një grup dhe tre nëngrupe tematike që do të merren drejtpërdrejt me hartimin e kodit. “Anëtarët e grupeve janë kryesisht përfaqësues të instituteve të ndryshme, përfaqësuesve të gjykatave dhe fakulteteve juridike”, tha ai.
Morina po ashtu njoftoi se ky kod do të jetë voluminoz në formë të pesë librave.
Libri i parë do të rregullojë parimet e përgjithshme dhe të së drejtës civile dhe në përgjithësi private, rregullat fundamentale, që në parim do të vlejnë për të gjitha pjesët e tjera të librave të Kodit Civil dhe fushave të tjera të së drejtës private.
“Libri i dytë do të rregullojë marrëdhëniet e detyrimeve dhe po ashtu do të rregullojë në pjesën e përgjithshme dhe të posaçme edhe kontratat. Ndërsa, libri i tretë do të rregullojë të drejtën sendore, marrëdhëniet pronësore juridike dhe të drejtat të tjera sendore. Ndërsa libri i katërt do të rregullojë të drejtën familjare ndërsa libri i pestë do të rregullojë të drejtën trashëgimore”, tha Morina.
Ai tha se parashikojnë të kenë një draft të gatshëm të Kodit Civil deri në fund të vitit 2019 të cilin MD mund ta procesojë në Kuvendin e Kosovës për ratifikim.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.