Kosovë, KQZ publikon rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale 2017
Duke u bazuar në të dhënat e KQZ-së pjesëmarrja në zgjedhje në mbarë territorin e Kosovës është 43.68 për qind, ndërkaq 2.480 vendvotime apo 99 për qind e vendvotimeve janë procesuar nga gjithsej 2.505 vendvotime

Prishtinë
PRISHTINË (AA) – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale të mbajtura dje në Kosovë, ku në Prishtinë dhe në pesë komunat tjera kryesore do të shkohet në raundin e dytë, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke u bazuar në të dhënat e KQZ-së pjesëmarrja në zgjedhje në mbarë territorin e Kosovës është 43.68 për qind, ndërkaq 2.480 vendvotime apo 99 për qind e vendvotimeve janë procesuar nga gjithsej 2.505 vendvotime. Numri i votuesve që kanë votuar nga ky numër i vendvotimeve të procesuar është 819.865.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, nga 208 vendvotimeve të numëruara (që janë 236 gjithsej) apo 88.14 për qind të vendvotimeve të procesuara kandidati për kryetar komune nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Shpend Ahmeti ka marrë 43.92 për qind të votave të numëruara deri tani. Ndërsa, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arban Abrashi i cili do të garojë për raundin e dytë me Ahmetin pas katër javësh ka marrë 36.26 për qind të votave.
Komunat tjera në të cilat do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve janë: Prizreni (PDK-LVV), Gjakova (Alternativa-AAK), Gjilani (LDK-LVV), Mitrovica (AKR-PDK) dhe Ferizaji (PDK-LDK).
Ndërsa, në komunën e Pejës kandidati i LDK-së ka fituar 50.35 për qind të votave pas numërimit të 131 vendvotimeve apo 99.24 për qind vendvotimeve të numëruara. LDK-ja në raundin e parë ka arritur të dalë partia e parë edhe në komunat e Fushë Kosovës, Lipjanit dhe Vitisë ndërkaq në Podujevë dhe Istog pritet të shkojë në raundin e dytë.
Kandidati i AAK-së në Deçan ka arritur të fitojë në raundin e parë me 63.91 për qind të votave. Kjo parti po ashtu edhe në Junik është e para me 58.40 për qind të votave të numëruara. Po ashtu edhe kandidati i PDK-së në Gllogovc është në epërsi me 59.34 për qind të votave të numëruara deri më tani.
Kandidatët e pavarur kanë fituar në Skenderaj dhe në Han të Elezit.
Në komunën e vetme me shumicë turke, në Mamushë kandidati i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Abdülhadi Krasniç ka marrë 53.95 për qind të votave duke u radhitur i pari në garën për kryetar të kësaj komune.
Në 9 prej 10 komunave me shumicë serbe në raundin e parë kanë fituar kandidatët nga Lista Serbe në veri të Mitrovicës, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok, Partesh, Ranillug, Novobërdë, Graçanicë dhe Shtërpcë.
Në zgjedhjet lokale marrin pjesë 91 subjekte politike, prej tyre 1 koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur. KQZ-ja ka akredituar 33 mijë e 200 vëzhgues vendor dhe ndërkombëtar.
Kujtojmë se këto janë zgjedhjet e shtata lokale në Kosovë. Zgjedhjet e fundit lokale në vend u mbajtën në vitin 2013.